Ndërpritet përkohësisht operacioni policor në Lazarat
E plotësuar: Policia e Shqipërisë ka ndërprerë oërkohësist operacionin në Lazarat, për t’iu dhënë numdësi maturantëve të mbajnë testin e maturës.
Lajme
Kreu i Policisë së Shqipërisë, Artan Didi ka thënë se kjo ndërprerje do të zgjasë vetëm dy orë, për mos t’i penguar studentët që janë duke iu nënshtruar provimit të maturës, raporton Top Channel.
\”Ndërprerja për të mos rrezikuar fëmijët në shkolla. Mund të zgjasë rreth dy orë\”, ka thënë Didi.
————————————————
Bie Lazarati, digjet marihuana (Foto&Video)
Policia e Shtetit Shqiptar, pas hyrjes në fshatin Lazarat, ka vijuar operacionin e ndërmarrë për asgjësimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike, duke shkatërruar rreth 60 mijë rrënjë kanabis dhe rreth 10 tonë marihuanë.
Ndërkohë edhe të mërkurën po vijojnë shkëmbimet e zjarrit mes trafikantëve dhe forcave të policisë.
Sipas Top Channel, mësohet se Altin Shurdhi me 12 persona të tjerë po qëllojnë drejt forcave të policisë, të fshehur mbrapa një shtëpie që ndodhet mbi xhaminë e fshatit.
Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri u ka kërkuar banorëve të Lazaratit të distancohen nga elementët kriminalë, ndërkohë që aksionin e policisë shqiptare e kanë përshëndetur edhe shumë vende të Bashkimit Evropian, duke e vlerësuar si hap vendimtar në marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Të rinj dhe adoleshentë lëvizin me mjete dhe armë në rrugët e fshatit, për të cilët banorët kanë thirrur policinë duke kërkuar ndërhyrjen e tyre të shpejtë.
Burime nga Policia e Shtetit ka bëjnë të ditur se Policia ka vijuar punën edhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që gjatë këtyre ditëve kanë kundërshtuar dhe qëlluar me armë forcat e Policisë së Shtetit, si dhe vendosjen e rendit e të sigurisë publike në Lazarat, raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare
Forcat e Policisë së Shtetit kanë ushtruar kontroll në territorin përreth 30 banesave në fshatin Lazarat, ku janë gjetur sasi të konsiderueshme bimë narkotike të kultivuara, boçe kanabisi, si dhe makineri për presimin e kanabisit.
Nga shërbimet e policisë në zonën e kontrolluar janë asgjësuar rreth 60 mijë rrënjë bimë narkotike: rreth 15 mijë rrënjë kanabis në oborret e banesave; rreth 15 mijë fidanë gati për tu mbjellë në oborret e banesave, si dhe rreth 30 mijë rrënjë bimë narkotike me një lartësi nga 35-40 cm në tokat e komunës.
Po ashtu është gjetur një sasi prej rreth 10 tonë kanabis sativa e ambalazhuar në thasë, e cila është asgjësuar përmes djegies në vend, si dhe është marrë mostër në cilësinë e provës për ekzaminim.
Ndërkohë në banesën e shtetasit Xhezo Mahmutaj (vëllai i Gate Mahmutaj, i vetëdorzuar) u gjet një laborator për përpunimin e lëndës narkotike, u sekuestruan një sërë pajisjesh, sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, si dhe u gjetën të kultivuara bimë kanabis sativa.
Një laborator është gjetur dhe në objektet e Gate Mahmutaj të vëna nën kontroll nga forcat e policisë.
Në terren u angazhuan rreth 800 forca policore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, si dhe të Delta Forcë në Vlorë.
Aksioni po vazhdon edhe të mërkurën, ku janë përfshirë dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera, si forcat elitë të shërbimeve të Tiranës dhe Shkodrës, me depërtimin hap pas hapi për në brendësi të fshatit Lazarat, duke ushtruar kontroll në territoret e banesave, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës.
Deri më tani, gjatë këtij operacioni, i cili ka filluar të hënën në mëngjes, janë plagosur tre persona, njëri prej tyre oficer policie, ndërsa janë arrestuar shtatë të dyshuar.