Ndërpritet greva në UP, presin krijimin e Qeverisë së re (video)

15:43 | 2 Korrik 2014

Këshilli grevist i UP-së, Foto & Video: Bujar Tërstena

Mbi 400 punëtorë të Administratës së UP-së, kanë vendosur që të pezullojnë protestën e tyre për rritje të pagave, deri në konstituimin e institucioneve të reja, kanë bërë të ditur përfaqësues të këshillit grevistë.

Këshilli grevist i Administratës së Universitetit të Prishtinës (UP) e ka vazhduar pezullimin e grevës, deri në zgjedhjen e institucioneve të reja qeverisëse të Kosovës, si dhe zgjedhjen e menaxhmentit të ri të universitetit.

Kryetari i Këshillit Grevist të Administratës, Artan Mjekiqi, ka thënë në një konferencë për medie se deri më tani UP i ka realizuar disa kërkesa, por tani kanë mbetur dy të fundit.

“Sot e kemi pas edhe në rektorat një takim me sekretarin e UP-së. Janë disa pika që nuk i kanë realizuar, të cilat kanë qenë pjesë e marrëveshjes. Ato janë pika 4 dhe 6. Mirëpo, disa pika tjera janë realizua, dhe për atë edhe e kemi pezulluar grevën”.

“Sot kemi marrë një vendim ne si Këshill Grevist duke i pas parasysh zhvillimet e fundit si në UP ashtu edhe në Kosovë, ku nuk po dihet se çfarë po ndodhë me formimin e qeverisë së Kosovës, që ta vazhdojmë me pezullim të grevës edhe për një afat të pacaktuar. Ky vendim është marr pasi që dihet se janë disa pika që duhet, që përmes Qeverisë dhe  Ministrisë, ti rregullojmë siç është shtrirja në rrogën bazë”, tha Mjekiqi.

Afër 420 punëtorë të Administratës së UP-së e kanë organizuar një grevë disaditore para 3 muajve, të cilën e kanë ndërprerë me premtimin e UP-së, që të njëjtat do t’i realizojë, derisa afati i fundit ka qenë 2 korriku kur punëtorët kishin paralajmëruar se nëse kërkesat nuk realizohen, do t’i kthehen grevës.

Këshilli grevist ka bërë të ditur se pagat retroaktive përfshijnë shumën prej 1 milion e 200 mijë eurove, për të cilët kanë thënë se do të kërkojnë nga UP-ja dhe Qeveria.