Ndërpriten gërmimet vlerësuese në lokacionin e shënjuar në Kozarevë

Të premten, më 7 gusht 2015, një Delegacion i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, në përbërje të të cilit ishin edhe përfaqësuesit e Departamentit të Mjekësisë Ligjore, përfaqësuesi i Shoqatave Familjare në Komision, si dhe përfaqësues të institucioneve tjera kompetente, kanë qëndruar në Serbi, sipas ftesës dhe njoftimit të dërguar nga Komisioni Qeveritar i Serbisë për Persona të Zhdukur për të përcjellë gërmimet vlerësuese, përkatësisht vazhdimin e gërmimeve të ndërprera në muajin Prill, të këtij viti, në lokacionin e shënjuar në fshatin Kozarevë.

Lajme

08/08/2015 19:39

Sipas planifikimeve, gërmimet kanë filluar më 7 gusht 2015, ora 09:00, dhe kanë përfshirë një pjesë të lokacionit të shënjuar muaj më parë, e që nuk ishte përfshirë gjatë gërmimeve të realizuara në këtë lokacion, më 23 prill 2015. Gërmimet vlerësuese, të realizuara përmes hapjes së dy kanaleve gërmuese, sipas praktikave dhe kërkesave të ekspertëve të pranishëm gjatë gërmimit, në një gjatësi prej 50 metrave, njëri kanal, dhe 55 metra, kanali i dytë, ku gjerësia e përbashkët e kanaleve dhe hapësirës së vlerësuar arrin deri në 10 metra, ka rezultuar pa gjetje të mbetjeve mortore dhe varrezës masive që supozohet, sipas dëshmive të dëshmitarëve, se mund të jetë në këtë hapësirë të territorit të Serbisë, njofton Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Në bazë të njoftimit dhe ftesës së dërguar nga pala serbe, ishte planifikuar që gërmimet vlerësuese të vazhdojnë edhe me datë 8 gusht 2015, mirëpo gërmimet ishin ndërprerë në po të njëjtën datë që kishin filluar, pra me 7 gusht 2015, përkundër faktit se nuk ishte gërmuar edhe në një hapësirë të shënjuar , që përfshinte diku 20 metra në drejtimin lindor nga kanali i parë, me rreth 10 metra gjerësi, gjithnjë bazuar në dëshmitë e dëshmitarëve të këtij rasti dhe në të dhënat e ofruara dhe të prezantuara edhe në lokacion dhe në takimet e vizitat paraprake rreth ‘rastit të Kozarevës’ nga Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur për institucionet kompetente të Serbisë.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, shpreh shqetësimin me rastin e ndërprerjes së gërmimeve në Kozarevë, bazuar edhe në faktin se veprimet e tilla, fatkeqësisht, tashmë kanë filluar të bëhen pjesë e praktikave dhe përvojave jo të mira, me rastin e gërmimeve në lokacionet e shënjuara në territorin e Serbisë. Dhe ‘çfarëdo arsyetimin që përdor pala serbe, në raste të tilla, siç ishte edhe dje, në Kozarevë, apo edhe për vite të tëra në rastin e Rashkës dhe rastet tjera që janë në proces, e që ndërlidhen me mungesën e urdhëresave gjyqësore apo mungesën e mjeteve financiare, janë të papranueshme për palën tonë dhe sigurisht që janë shqetësuese për institucionet dhe para se gjithash për familjet dhe familjarët e personave të zhdukur’, thekson Gjetaj.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, përmes Delegacionit të Kosovës në Grupin Punues për Persona të Zhdukur, do të ri-procedojë me kërkesën për vazhdimin e menjëhershëm të punimeve në këtë lokacion, si dhe njëherit kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare, duke pasur parasysh faktin se përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare ishin të pranishëm, edhe dje gjatë ditës në Kozarevë, të shtojnë trysnin ndaj autoriteteve në Serbi që të jetë më bashkëpunuese në këtë drejtim dhe të intensifikojë angazhimin në ndriçimin e plotë të rasteve të personave të zhdukur, gjatë luftës në Kosovë.

Të pranishëm, gjatë gërmimeve në Kozarevë, krahas përfaqësuesve nga Kosova, përkatësisht Delegacionit të kryesuar nga z. Prenkë Gjetaj dhe i përbërë edhe nga z. Bajram Qerkinaj, z. Arben Emini, z. Arben Selimi, z. Bedri Limani dhe z. Kushtrim Gara, si dhe përfaqësuesve të institucioneve të Serbisë, përkatësisht Komisionit Qeveritar të Serbisë për Persona të Zhdukur, dhe Prokurorisë për Krime Lufte, ishin edhe përfaqësuesit e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX-it, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara. (Lajmi.net)