Ndërhyrje në punët e KQZ’së

Një zyrtar i lartë nga KQZ thotë se OSBE ka ndërhyrë në punët e brendshme të Komisionit kur ka shkuar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Anëtarët mund të kërkojnë llogari edhe nga vetë Valdete Daka.

Lajme

29/09/2013 07:27

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë ndjerë të befasuar kur kanë dëgjuar të shtunën se zyrtarë të Misionit të OSBE’së në Kosovë kanë hyrë brenda Qendrës së Numërimit të Rezultateve për t’i verifikuar aplikacionet e ardhura nga Serbia.

Një zyrtar i KQZ’së ka thënë për lajmi.net se ky organ e ndjen si “ndërhyrje në punët e brendshme” veprimin e këtij Misioni dhe pret që ata që kanë hyrë, por edhe ata që kanë lejuar hyrjen e OSBE’së aty, të japin sqarime dhe llogari.

“Kjo është ndërhyrje në punët e brendshme të KQZ’së”, thotë për lajmi.net një zyrtar i lartë nga KQZ.

“Nuk na ka informuar askush zyrtarisht dhe as nuk kanë kërkuar leje nga ne.  Edhe pse ata ishin aty gjatë tërë ditës, ne akoma nuk e dimë se kush janë, përveç zyrtarëve të OSBE’së, dhe çfarë bënë ata në QNR, aty ku po verifikoheshin aplikacionet e ardhura nga Serbia”.

“Andaj për këtë çështje dikush duhet të japë sqarime, e ndoshta edhe llogari”.

“Ata mund të kenë shkuar atje me lejen e Kryesueses, por jo me lejen e KQZ’së dhe as që kanë denjuar të na njoftojnë. Kjo sjellje e këtillë, ky injorim i KQZ’së, është i papranueshëm”.

Mediat kanë raportuar gjatë të shtunës se OSBE ka nisur riverifikimin e aplikacioneve të refugjatëve serbë të Kosovës, të ardhura nga Serbia, pasi që 97 për qind e tyre ishin hedhur poshtë si të pavlefshme.

Kryesuesja e KQZ’së kishte mohuar kategorikisht se procesi i verifikimit të aplikacioneve të ardhura nga Serbia është ndërprerë nga Misioni i OSBE’së.

Ajo ka thënë se verifikimi tashmë ka përfunduar dhe se janë në proces të përpilimit të raportit të tyre. Sipas Dakës, Sekretariati i KQZ’së e ka kryer punën dhe janë duke hartuar raportin final, i cili pritet të përfundohet brenda dy ditëve në vijim.

Mospranimi i aplikacioneve të refugjatëve serbë të Kosovës që jetojnë në Serbi ka nxitur të premten edhe reagimin e Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikolic.

Ai e ka ftuar Bashkimin Europian që të sigurojë mbarëvajtje të procesit zgjedhor në Kosovë meqë, sipas tij, nga rreth 40 mijë votues janë regjistruar në Serbi, KQZ e Kosovës ka rishikuar rreth 11 mijë aplikacione dhe ka pranuar si të vlefshme vetëm rreth 200 prej tyre.

E kontaktuar nga lajmi.net, Valdete Daka ka thënë se nuk dëshiron t’i komentojë deklaratat politike.

“Ato janë deklarata politike, për ato… është më mirë t`i pyesni politikanët”.

“Janë rishikuar 40 mijë aplikacione dhe ende nuk e dimë rezultatin, sepse janë duke e bërë bilancin e krejt atij verifikimi, dhe të gjithë ata që verifikohen që janë votues dhe që kanë të drejtë vote, do të regjistrohen si votues jashtë Kosovës”.