Ndërhyrja e NATO-s ishte e madhërishme, ajo Osmane ishte robëri

Ismail Kadare e konsideron bombardimin e Serbisë nga NATO dhe SHBA si një ngjarje të madhërishme. Ai thotë se shqiptarët gjeografikisht janë në Evropë dhe për ta nuk ka gjeografi më të mirë. 

Lajme

16/06/2014 09:41

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare duke folur për rastin e përvjetorit të 15 të çlirimit të Kosovës, Kadare thotë se bombardimi i SHBA-së mbi caqet serbe mund të quhet një “ngjarje e madhërishme”, e cila ndodhë tepër rrallë. Ai e cilëson këtë si një “luftë të një lartësie morale të paparë” në parë.

“Bombardimi i Serbisë si ndëshkim për Kosovën është një ngjarje përmasat e së cilës ndërgjegjja jonë ende nuk i kap, veçse pjesërisht. Kjo ndodh në botë me ngjarje të madhërishme. Unë jam shkrimtar dhe e njoh peshën e përgjegjësisë së fjalëve. Rrjedhimisht e di se ç’kuptim mund të krijojë përdorimi i fjalës “e madhërishme”, për një bombardim. Megjithatë, po e përsëris: kjo ngjarje ishte e tillë: e madhërishme. Në historinë e Evropës dhe të SHBA-ve ndodhi diçka tepër e rrallë, për të mos thënë e panjohur; një luftë e një lartësie morale të paparë, që kryente pjesa më e përparuar e botës, për mbrojtjen e një populli gjysmë të humbur e të braktisur. Mirënjohja e shqiptarëve duhet dhe do të jetë, pa dyshim, e pafundshme”.

Në një intervistë dhënë për “Zëri” Kadare thotë se shqiptarët gjeografikisht gjithmonë kane qenë pjesë e Evropës. E i pyetur se si bota i sheh sot shqiptarët, shkrimtari mendon se bota na sheh “më keq se ç’jemi”.

 “Jo vetëm që jemi, por kemi qenë gjithmonë gjeografikisht në Evropë. Për shqiptarët s’ka pasur një tjetër gjeografi nga e cila ata kanë dalë, për të zgjedhur një më të mirë, ose më përfituese”.

“Për fat të keq, bota na sheh më keq se ç’jemi. Pra, më pak të emancipuar dhe më shumë të pagdhendur. Për një vizion të pasaktë, vështruesi mund të ketë gabim apo fajin e vet. Në rastin tonë nuk mendoj se ka ndonjë dashakeqësi të programuar. Ka qenë më tepër ndërlikim fatkeq rrethanash”.

Duke folur për paralelet e hedhura se pushtuesit osman mund të krahasohen me NATO-n e sotme, pasi që ka hipoteza se osmanët ndihmuan shqiptarët që të heqin qafe sllavizmin, Kadare thotë se çështja e “mirënjohjes” së shqiptarëve ndaj osmanëve daton shumë herët në histori.

Ai thotë se debati i sotëm lidhur me këto paralele të hedhura, atij i tingëllon si “përsëritje e këtij jermi”.

“Është tepër e habitshme, për të mos thënë makabre, që disa vjet pas shpëtimit të Kosovës prej ndërhyrjes Atalntike, bëhen përpjekje që mirënjohja t’i kalojë Turqisë. Kjo histori është e vjetër. Gjatë viteve të robërisë osmane, me qindra herë duhet të jetë trajtuar çështja “e mirënjohjes” që shqiptarët duhej të kishin ndaj osmanëve, ngaqë këta të fundit i paskëshin shpëtuar nga Evropa. Debati i sotëm, nuk është veçse një përsëritje e këtij jermi. Tani për tani kundërshtarët e Evropës nuk dalin haptas, e maskojnë fjalën \’evropianizim\’ pas \’sllavizmit\’, por nesër, kur të ndihen më të fortë, do të hedhin maskën dhe haptas do të kthehen kundër Evropës dhe SHBA-së”, ka thënë për Zëri, Ismail Kadare.