Ndalohen dy persona në Gjakovë, dyshohet se rrëmbyen një tjetër person

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ndaluar dy persona M.G  dhe  A.B., dyshohen për rrëmbim.

Lajme

13/11/2018 15:06

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve të DRP-së në Gjakovë, me datë 12.11.2018,  kanë ndaluar dy persona M.G  dhe  A.B.

Nën dyshimin se të njëjtit me datën 11 .11.2018 në fshatin Bec të Gjakovës kanë rrëmbyer personin I.J., nga fshati Rashkoc i Gjakovës në atë mënyrë që e kanë kërcënuar me armë dhe e kanë detyruar të futet në automjetin e tyre, dhe e dërgojnë tek liqeni i Radoniqit, njofton prokuroria, përcjell lajmi.net.

Siç thuhet në njoftim, arsyeja e rrëmbimit është se viktima I.J., ka marrë pjesë në zgjidhjen e një kontestit në mes të motrës së pandehurit M.G.,  dhe bashkëshortit  të saj,  duke e kanosur që këtë çështje ta zgjidhë në favor të  tyre, te cilën gjë viktima “ka pranuar ta bëjë”.

Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë,  që ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit  në afat prej 30 ditësh. /Lajmi.net/