Ndalet një person për vdekjen e punëtorit të KEK-ut, dyshohet për rrezikim të sigurisë në vendin e punës
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se një person është ndaluar për 48 orë lidhur me vdekjen e punëtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arbenit Ahmeti. Ahmeti humbi jetën sot, pasi gjatë kryerjes së detyrave të punës në KEK dyshohet se ra në kontakt me tensionin elektrik, transmeton lajmi.net. Sipas Prokurorisë, rasti është raportuar…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se një person është ndaluar për 48 orë lidhur me vdekjen e punëtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arbenit Ahmeti.
Ahmeti humbi jetën sot, pasi gjatë kryerjes së detyrave të punës në KEK dyshohet se ra në kontakt me tensionin elektrik, transmeton lajmi.net.
Sipas Prokurorisë, rasti është raportuar rreth orës 14:50, ndërsa nga të dhënat e para bëhet e ditur se aksidenti ka ndodhur gjatë transportimit dhe zhvendosjes së kabllove 6kV.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Inspektorati i Punës dhe Inspektorati i Brendshëm i KEK-ut.
Me urdhër të prokurorit kujdestar janë ndërmarrë veprimet hetimore për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te aksidenti fatal.
Në kuadër të hetimeve, është ndaluar personi me inicialet A.K., për 48 orë. Ai dyshohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas nenit 358 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka bërë të ditur se prokurori i rastit do të vlerësojë provat dhe rrethanat e mbledhura dhe, brenda afatit ligjor, do të vendosë për veprimet e mëtejshme, përfshirë edhe mundësinë e kërkesës për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarit.
Ndërkohë, për vdekjen e Ahmetit ka reaguar edhe Sindikata e Re e KEK-ut, e cila ka shprehur pikëllim të thellë për humbjen e punëtorit.
Sindikata ka publikuar edhe fotografinë e Ahmetit, duke thënë se ai humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës.
“Arbeniti u nda nga jeta në krye të detyrës, duke lënë pas dhimbje të madhe te familja, kolegët dhe të gjithë ata që patën rastin ta njohin dhe të punojnë me të. Në emër të Sindikatës së Re të KEK-ut, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Ahmeti, të afërmve, miqve dhe kolegëve të tij. Humbja e një punëtori në vendin e punës është dhimbje e madhe për familjen, kolegët dhe gjithë komunitetin e KEK-ut.”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Vdekja e Ahmetit është rasti i tretë fatal i një punëtori të KEK-ut brenda më pak se dy muajsh, duke rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë në vendet e punës dhe masat për parandalimin e aksidenteve./lajmi.net/