Ndahet nga jeta akademik Latif Susuri

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njofton opinionin se sot në mëngjes, në spitalin e Prishtinës, vdiq anëtari i rregullt i saj, akademik Latif Susuri.

Lajme

14/04/2016 12:14

“Është kjo një humbje e madhe për familjen, shkencën, Akademinë, për kolegët dhe miqtë nga Kosova dhe më gjerë”, thuhet në njoftim të ASHAK.

Bashkë me njoftimin për vdekjen e Susurit, ASHAK ka dërguar edhe një biografi për akademikun e ndjerë.

Biografia:

Akademik Latif Susuri lindi më 7. 05. 1941 në Zhur, ku e kreu shkollën fillore. Shkollën e mesme bujqësore e mbaroi në Prishtinë, ndërsa Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Beogradit, në vitin 1975.

Disertacionin e doktoratës e mbrojti në Fakultetin e Agronomisë të Universitetit të Zagrebit, në vitin 1983. Si bursist i disa fondacioneve qëndroi për studime specialistike në SHBA, në Angli dhe në qendra të tjera. Në vitin 1977 zgjidhet ligjërues në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës dhe pastaj i merr të gjitha thirrjet akademike deri te pro fesori ordinar. Ishte dhe dekan i këtij Fakulteti. Në vitin 2000 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Preokupimi kryesor i akademik Susurit ishte puna shkencore-hulumtuese në fushën e sëmundjeve të bimëve, të fitopatologjisë. Nga lëmi i ngushtë ka botuar shumë punime në revista të njohura shkencore në vend dhe në botën e jashtme (SHBA, Gjermani, Itali, Hungari, Slloveni, Kroaci etj.). Ishte profesor mysafir në disa universitete dhe anëtar i disa shoqatave profesionale. Për punën e tij ka marrë shumë mirënjohje.

Me këtë rast, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Susuri, miqve dhe dashamirëve të tij gjithandej Kosovës dhe mbarë botës shqiptare.

Mbledhja komemorative do të mbahet sot, në orën 11, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa homazhet pas kësaj mbledhjeje, po ashtu në mjediset e Akademisë.

Akademik Latif Susuri do të varroset sot (e enjte) në vendin e tij të lindjes, në Zhur, në orën 16.