NATO, Rusia mund të destabilizojë vende tjera

Komandanti i lartë ushtarak i NATO-s thotë se Rusia do të mund të destabilizonte vendet e tjera fqinje, në qoftë se vendet perëndimore nuk e dënojnë Moskën sa duhet për veprimet e saj në Ukrainë.

Bota

25/02/2015 18:56

Gjenerali amerikan Philip Breedlove tha më 25 shkurt, në një seancë në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të SHBA-ve, se “Rusia është duke marrë mësime nga përgjigjet tona ndaj veprimeve të tyre. Në qoftë se ata ndjehen të shpërblyer nga rezultatet, kjo mund të inkurajojë ata që të provojnë përsëri diku tjetër”, transmeton REL.

Ai tha se një Rusi “revanshiste” është “haptazi duke sfiduar rregullat dhe parimet që kanë qenë themeli i sigurisë evropiane për dekada të tëra”.

Breedlove ka akuzuar forcat ruse për luftimet që “vështirë ndryshojnë faktet në terren” në Ukrainën Lindore, përpara marrëveshjes së 12 shkurtit për armëpushim.