NATO-ja me strategji të re për mbrojtje nga sulmet hibride

Derisa NATO-ja mendon shumë për Ukrainën, ajo është duke u përballur gjithnjë e më shumë me sulme hibride ndaj 32 vendeve anëtare të saj, të cilat vijnë nga Rusia e Kina, por edhe Irani e Koreja e Veriut. Në një takim të javës së kaluar të ministrave të Jashtëm në Bruksel, një zyrtar i lartë…

Bota

11/12/2024 11:29

Derisa NATO-ja mendon shumë për Ukrainën, ajo është duke u përballur gjithnjë e më shumë me sulme hibride ndaj 32 vendeve anëtare të saj, të cilat vijnë nga Rusia e Kina, por edhe Irani e Koreja e Veriut.

Në një takim të javës së kaluar të ministrave të Jashtëm në Bruksel, një zyrtar i lartë i NATO-s foli për “sulme të vazhdueshme dhe të përditshme kundër vendeve të NATO-s”, që tha se përfshijnë sulmet kibernetike, ndërhyrjet politike, sulmet në infrastrukturë kritike siç janë kabllot nënujore, si dhe sabotazhin.

Një shembull i fundit është dëmtimi i kabllove të komunikimit me fibra optike në Detin Baltik, që, sipas disave, ishte sabotazh.

Që nga viti 2016, NATO-ja ka deklaruar se sulmet hibride kundër cilitdo prej vendeve të saj anëtare, mund të nxisin veprime sipas Nenit 5 të Traktatit të aleancës.

Sipas këtij neni, sulmi i tillë ndaj një vendi anëtar mund të konsiderohet akt agresioni ndaj gjithë aleancës dhe ta nxisë përgjigjen e të gjithë aleatëve.

Për t’u thirrur në këtë nen, pragu është shumë i lartë. Ai është zbatuar vetëm një herë në historinë 75-vjeçare të NATO-s, përkatësisht pas sulmeve të 11 shtatorit, 2001, ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat më pas kanë shkaktuar luftën në Afganistan.

Zyrtarët e NATO-s pranojnë se sulmet hibride janë të ndërlikuara, sepse nuk janë si lufta konvencionale.

NATO-ja, tradicionalisht, merret me mbrojtjen e kufijve të jashtëm, ndërsa sulmet hibride janë të prira të ndodhin brenda vendeve aleate, dhe shpesh në baza të rregullta.

Por, janë ato paqartësitë që komplikojnë gjithçka.

Shumë nga sulmet, qofshin ato fizike apo online, kryhen nga individë privatë. Ndonëse ata mund të gjurmohen në Rusi, është shumë e vështirë për të paraqitur prova absolutisht përfundimtare që do ta atribuonin fajin. Dhe, fajësimi i kujtdo që është përgjegjës, nuk është gjithmonë i dobishëm.

Një zyrtar i lartë i NATO-s tha: “Ajo që ne nuk duam, është që çdo gjë t’i atribuohet Rusisë. Kjo i bën rusët të duken më të mëdhenj dhe krijon ankth. Ta atribuosh [fajin] gjithmonë, nuk është domosdoshmërisht një gjë e zgjuar”.

Shumë nga këto sulme hibride kanë në shënjestër edhe kompani private – për shembull, operatorët e telekomit që zotërojnë kabllo nënujore.

Zyrtarët e NATO-s thonë se këto shqetësime adresohen gjithnjë e më shumë nga aleanca për ndihmë, pasi operatorët privatë nuk kanë kapacitete për të siguruar infrastrukturën e tyre dhe për t’u përgjigjur.

Atëherë, çfarë mund të bëjë NATO-ja? Pas debatit mes ministrave të Jashtëm më 4 dhjetor, kishte marrëveshje për ndarjen e më shumë informacioneve të inteligjencës, për më shumë stërvitje detare dhe për të rritur praninë e aleancës në Detin Baltik.

Por, zyrtarët e NATO-s janë gjithashtu të vetëdijshëm për peshën e kësaj detyre.

Ka më shumë se 1 milion kilometra kabllo nënujore në ujërat e NATO-s dhe rreth 50.000 anije në ujërat evropiane në çdo kohë. Është, thjesht, e pamundur të ruhet gjithçka, madje as nyjat më kritike të infrastrukturës.

Megjithatë, NATO-ja mund të bëhet më e mirë në parandalimin e gjërave. Ajo është duke përdorur gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale për t’i dalluar tendencat e pazakonta dhe për t’i gjurmuar anijet e dyshimta.

Anëtarët e aleancës po provojnë një sërë masash për t’i mbrojtur kabllot, duke përfshirë përdorimin e sensorëve për t’i monitoruar të dhënat dhe vendosjen e tyre nën beton.

Pjesa më e madhe e kësaj nuk është bërë më herët, pasi infrastruktura është projektuar për kohë paqeje.

NATO-ja tani është e zënë duke punuar për një strategji të re kundër kërcënimeve hibride, përpara samitit të Hagës në qershor të vitit 2025.

Strategjia e fundit, nga viti 2015, është e vjetruar.

“Ajo nuk e parashikonte këtë nivel kërcënimi. Veprimet kibernetike janë në një nivel tjetër tani, numri i aktorëve kërcënues është më i lartë dhe niveli i përgjithshëm i kërcënimit është shumë më i lartë”, tha një zyrtar i NATO-s. REL