NATO-ja do t’i përgjigjet Rusisë nëse nuk e shkatërron sistemin raketor

16:12 | 25 Qershor 2019

NATO-ja i kërkoi Rusisë të martën që të shkatërrojë sistemin e saj raketor përpara afatit në muajin gusht, dhe të ruaj traktatin që mundëson mbajtjen e kokave bërthamore jashtë Evropës.

NATO-ja tha se në të kundërten, Rusia do të përballet me një përgjigje më të vendosur të aleancës.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të diskutojnë të mërkurën hapat e tyre të ardhshëm, nëse Moska e mban sistemin e raketave, për të cilin Shtetet e Bashkuara thonë se mundëson sulme bërthamore në Evropë, dhe shkelë traktatin e Forcave Bërthamore të vitit 1987.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të marrë rrugën e përgjegjshme, por nuk kemi parë asnjë shenjë që Rusia e ka ndërmend ta bëjë këtë”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për media.

“Ne do të duhet të reagojmë”,tha ai.

Ai nuk pranoi të japë më shumë detaje, por sipas agjencisë Reuters, diplomatët kanë thënë se ministrat e mbrojtjes po vlerësojnë mundësinë e më shumë fluturimeve në Evropë të aeroplanëve amerikanë, të aftë për të mbajtur koka bërthamore, më shumë trajnime ushtarake dhe ripozicionimin e raketave të bazuara në det.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO, duan që Rusia të shkatërrojë sistemin e saj të raketave, të cilin Moska refuzon ta bëjë. Ajo mohon çdo shkelje të traktatit të vitit 1987.

Traktati i INF-së ndaloi Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë nga zhvillimi, prodhimi dhe vendosja e raketave balistike me rreze prej 500 deri në 5,500 kilometra.

Në shkurt, Shtetet e Bashkuara pezulluan pjesëmarrjen e saj në marrëveshje, duke akuzuar Rusinë për shkelje të paktit pas vendosjes së një sistemi raketash.

Rusia, e mohoi akuzën, por më vonë u kundërpërgjigj me tërheqje nga traktati./REL