NATO, faktor i rëndësishëm

Kryeministri Hashim Thaçi u takua me Komandantin e KFOR’it, Farina. Ky i fundit tha se KFOR do të ofrojë shërbime për një ambient të sigurt në zgjedhje.

Lajme

08/11/2013 12:12

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe Komandanti i KFOR’it, gjenerali Salvatore Farina biseduan sot për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, për hapat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, së bashku me të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e saj.

Thaçi e konsideroi prezencën e NATO’s një faktor shumë të rëndësishëm për rajonin.

“Prezenca e NATO-s në Kosovë është nja faktor shumë i rëndësishëm, për paqe, siguri dhe stabilitet, jo vetëm në Kosovën por edhe për rajonin në përgjithësi”.

Ai falënderoi komandantin e KFOR’it, për kontributin e madh që ky mision paqeruajtës ka dhënë në ngritjen e kapaciteteve profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sipas standardeve më të larta të NATO’s, dhe shprehu besimin se Kosova është e palëkundur ne vizionin e saj për integrimin në NATO.

Bashkëbiseduesit vlerësuan mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 3 nëntorit dhe theksuan nevojën e bashkërendimit të aktiviteteve sa më mirë edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve për ato komuna ku do të ketë përsëritje të zgjedhjeve me theks të veçantë në Komunat veriore të vendit.

Komandanti i KFORit, Salvatore Farina, shprehu përkushtimin e tij që të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe theksoi përkushtimin se forcat paqeruajtëse të KFOR’it do të jenë në shërbim të krijimit të një ambienti të sigurt, për zhvillimin normal të procesit zgjedhor që do të zhvillohet me 1 dhjetor, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e kryeministrit.