NATO do të ndryshonte prezencën në Kosovë, nëse FSK shndërrohet në FAK

NATO duket se më shumë preferon ta shohë Forcën e Sigurisë së Kosovës duke operuar në mandatin aktual si forcë multietnike, se sa një transformim të saj në Forcë të Armatosur pa mbështetjen e komunitetit serb.

Lajme

05/12/2015 14:56

Javën e kaluar, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, paralajmëroi se së sjpejti, Kosova do të hyjë në një “marrëveshje speciale” me Aleancën Veri-Atlantike për transformimin e FSK-së. Brenda në Kosovë po mungon një konsensus brenda liderëve shqiptarë dhe serbë për ta marrë një hap të tillë në Kuvend.

Por zyrtari i NATO-s që foli për BIRN tha se për të ardhmen e FSK-së duhet të vendosin institucionet e Kosovës.

“Ne presim që FSK të mbetet burim i stabilitetit të rajonit në të ardhmen dhe jemi të bindur se vlera e FSK-së si një forcë multietnike efikase që operon brenda mandatit të vet ekzistues do të jetë gjithnjë e më shumë e pranuar nga të gjitha komunitetet, përderisa po zbatohet marrëveshja historike ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha një zyrtar i selisë së NATO-s në Bruksel.

“Struktura, mandati dhe misioni i FSK-së nuk janë çështje për të cilën vendos NATO. E ardhmja e FSK-së është një çështje e brendshme e institucioneve të Kosovës”, u shpreh ky zyrtar.

Ai shtoi se NATO aktualisht mbështet zhvillimin e FSK-së brenda misionit dhe mandatit origjinal përmes Ekipit Ndërlidhës dhe Këshillëdhënës të NATO-s.

“Nëse mandati dhe misioni i FSK-së ndryshon, Këshilli Veri-Atlantik do të duhej ta rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s”, tha ky zyrtar.

“Në vitet e fundit, FSK ka pasur përmirësime të rëndësishme në rekrutimin e personelit nga të gjitha komunitetet në Kosovë, përfshirë edhe nga komuniteti serb”, tha ky zyrtar.