Naser Osmani thotë se askush nga LDK s’e voton PAN-in

Edhe një deputet tjetër i LDK-së ka mohuar mundësinë që zyrtarët e kësaj partie të votojnë Ramush Haradinajn për Kryeministër. Ai ka thënë se edhe AKR dhe Alternativa kanë qëndrim kundër PAN-nit.

Lajme

15/07/2017 12:45

Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Naser Osmani, po garanton se asnjë deputet i LDK’së nuk do t’ia japë votën Ramush Haradinajt për t’u bërë shef i Qeverisë në koalicionin me PDK’në e NISMA’n për Kosovën.

Në një bisedë për Express, Osmani ka thënë se edhe partnerët e koalicionit, AKR dhe Aletrantiva, deri më tash kanë qëndrim refuzues ndaj PAN’it.

Megjithëkëtë, deputeti me mandatin pestë në Parlament, thotë se AKR dhe Alternativa ishin bërë bashkë për fitore. Ndërsa, pas rezultatit të zgjedhjeve, ai thotë se këto dy parti mund të marrin vendime vet për të ardhmen e tyre politike.

“Në përvojën time 27 vjecare në LDK nuk ka ndodhur asnjëherë dhe nuk besoj as tash që dikush në LDK të qet votë jashtë LDK’së, jashtë asaj që vendosin strukturat e LDK’së. Për bindjen time nuk e besoj. Ata kanë fituar dhe janë të parët. Le të mundohen t’i bëjnë numrat. Të shohim qysh po rrjedh”, ka thënë Osmani, për Express, të shtunën.

Zyrtarët e AAK’së, por edhe disa të PDK’së, po deklarojnë se kanë siguruar votat për formimin e Qeverisë. Po përmendin se kanë arritur edhe marrëveshje me deputetë, mirëpo, jo me partitë politike.

Osmani sheh probleme në krijimin e institucioneve për shkak të komplikimeve që kanë ndodhur me rezultatin e zgjedhjeve.

Sidoqoftë, ai thotë se votat e koalicionin  LAA deri në këto momente janë të unifikuara.

“Për momentin vota është e përbashkët dhe jemi në qëndrime të njëjta. Deri në këtë moment. Konsideromë si votë të përbashkët”, ka shtuar ai.

Ndryshe, disa media, kanë shkruar dhe kanë përmendur emrat e deputetëve të mundshëm se mund ta votojnë Haradinajn për Kryeministër. Një gazetë ka shkruar sot duke përmendur emrat të dy deputetëve se ‘skekulohet’ se do të votojnë pro PAN’it.

Në zgjedhjet e fundit nacionale, tri partitë e themeluara nga ish-udhëheqësit e UÇK’së, PDK, AAK e NISMA dolën të parët me një koalicion parazgjedhor, duke marrë vetëm 39 deputetë. VV doli e dyta me 32 deputetë derisa LDK e treta me 29.

PAN, shkurtesa e koalicionit fitues, pritet të marrë mandatin për formimin e Qeverisë, javën e ardhshme, pasi të konstituohet Parlamenti.

Zgjedhjet nacionale të mbajtura me 11 qershor janë certifikuar para një jave derisa ende Presidenti Hashim Thaçi nuk e ka thirr seancën e Kuvendit. Kjo është paralajmëruar se do të ndodhë javën e ardhshme.