Naim Tërnava në Faljen e Bajramit: Të angazhohemi për të mirën e përbashkët

Manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit, Falja e Namazit të Fitër Bajramit është mbajtur me fillim nga ora 05:34 në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Lajme

15/06/2018 07:52

Hytben e Fitër Bajramit e ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, me ç’rast edhe ka dhënë një mesazh për këtë festë.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve dhe qytetarëve që të organizohen për të mirën e përbashkët sepse vetëm kështu sipas tij mund të realizohen qëllimet shoqërore dhe shtetërore.

“Ju thërras të gjithëve, popull dhe institucione, që të marrin shkas festat tona fetare dhe kombëtare për t’u angazhuar për interesin shoqëror të vendit, për të mirën e përbashkët, duke shfrytëzuar momente sikur këto, bashkimi drejt qëllimeve fisnike bëhet më i lehtë dhe më i fortë. Kështu mund të marshojmë drejt qëllimeve tona shoqërore dhe shtetërore. Ramazani na ka mësuar të përmbahemi mbi epshet, përmbajtja ndaj provokimeve fizike është vlerë e ramazanit. Festat janë momente për të prezantuar vlerat e vërteta të fesë tonë para botës. Festat janë momente përkujtimi, ramazani është jetë e njeriut në miniaturë”, ka thënë Tërnava.

Ai ka shtuar festat si Fitër Bajrami janë momente për të prezantuar vlerat të verteta të fesë tonë para botës. Sipas tij festat në Islam janë momente reflektimi, rikthimi në vlera të vërteta dhe humane.

Tërnava theksoi se njerëzit mund të bëhen më të mirë kur të kuptojnë se nuk janë krijuar për vete, por për të ndihmuar të tjerët.

“Festa e besimtarit nuk dallon vetëm nga motivet por edhe nga mënyra e festimit. Gëzimi ynë sot nuk duhet të degjenerojë në shthurje, festa nënkupton kthim por jo në mekate, manifesohet në kthimin e gjendjes para ramazanit sepse na lejohen pijet dhe ushqimi. Festat në Islam janë momente reflektimi, rikthimi në vlera të vërteta dhe humane. Shoqëria është sikur trupi, një pjesë nuk mund të festojë nëse pjesa tjetër rënkon. Ne do të bëhemi më të mirë kur të kuptojmë se nuk jemi krijuar për vetë por për të tjerët dhe kur punojmë për të jetësuar këtë. Qëllimi i vërtetë është bashkimi i zemrave”, thënë Tërnava.

Faljes së Namazit i ka prirë Resul Rexhepi sekretar i përgjithshëm i BIK-ut.

Fitër Bajrami pason muajin e shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, agjërohet 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit./Lajmi.net/