“Nagavci t’i lë inatet, shkollat nuk i takojnë shekullit XXI” – kujt po ia lë Jasharaj fajin për rezultatin e dobët në “Pisa”

Gjatë ditës së sotme janë bërë publike rezultatet e testit ‘’Pisa’’ për vitin 2022. Në bazë të rezultateve del se shteti i Kosovës është renditur pothuajse në vendet e fundit. Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, thotë se sa më shpejt duhet të thirren të gjitha palët relevante të arsimit. Ai ka ftuar ministren…

Lajme

05/12/2023 20:06

Gjatë ditës së sotme janë bërë publike rezultatet e testit ‘’Pisa’’ për vitin 2022. Në bazë të rezultateve del se shteti i Kosovës është renditur pothuajse në vendet e fundit.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, thotë se sa më shpejt duhet të thirren të gjitha palët relevante të arsimit. Ai ka ftuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci që t’i tejkalojë inatet e grevës.

“Është një pozitë tepër e keqe në këtë test që është ndërkombëtar. E përgëzoj zonjën Nagavci që ishte e matur në deklarata. Ajo duhet të thirr sa më shpejt të gjitha palët që janë të ndërlidhura në arsim…Nuk duhet bërë angazhime që ta kemi një fajtor e pastaj të ndalemi. Zonja Nagavci duhet t’i lë inatet e grevës dhe duhet të ulemi bashkërisht. Të shohim të gjithë bashkë si e kemi situatën dhe cilat janë problemet aktuale që po na pamundësojnë të jemi më të mirë”, ka thënë Jasharaj në një intervistë për lajmi.net.

Për rezultatin, Jasharaj pak e fajëson pandeminë por përmend edhe kushtet në shkolla të cilat thotë se nuk i takojnë këtij shekulli.“Konsideroj që njëra nga problemet mund të jetë se e kaluam një kohë me pandemi dhe me atë mësimin online që për kushtet e shkollave tona ishte i vështirë të realizohet. Qeveria Kurti duhet ta kuptojë situatën, të mos nxisë fyerje e sharjeve të “ekspertëve”, por të ndajë mjete shumë më tepër që shkollat t’i kemi të shekullit XXI. Kushtet në shkollat tona nuk janë të shekullit XXI, punojnë me shkumësa dhe shpuza. Sivjet patëm një telash tjetër, u bën 2 muaj dhe nxënësit nuk u pajisën me tekste shkollore”, ka deklaruar Jasharaj.

Tutje fton inspektorët që t’i inspektojnë mësimdhënësit.

“Duhet të kemi inspektorë profesional, t’i dërgojmë në klasë. Ata do ta shohin se çka po bën msusi. A e kanë mirë planin dhe programin? A ka të meta në punën që bën ai? Ato të meta pastaj të tejkalohen dhe të përgatitemi të gjithë”.