Nagavci thotë se Beqiri u përzu shkaku i mungesës nga puna për 10 ditë

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci ka hedhur poshtë deklarimet dhe akuzat e ish-shefit të Arsimit, Refik Beqiri i cili ka thënë se drejtoresha Nagavci e ka përjashtuar pa arsye nga puna pas shumë vitesh pune.

Lajme

12/03/2015 17:23

Sipas Nagavcit, Beqiri ka bërë mungesa mbi dhjetë ditë të mos ardhjes në punë dhe të njëjtat nuk i ka arsyetuar as tek ajo, por as në Drejtorinë e Administratës.

Nagavci tha se Beqiri me kohë e ka marrë vendimin me të gjitha provat dhe dëshmitë nga komisioni disiplinor dhe, sipas saj, të gjitha procedurat janë ndjekur.

“Beqiri ka pranu vendimin për suspendim nga komisioni disiplinor, unë si drejtoreshë e Arsimit kam obligim profesional dhe ligjor që të kujdesem që secili person i punësuar në Drejtorinë e Arsimit të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë për të cilat paguhet”, tha Nagavci.

Sipas saj Refik Beqiri disa herë ka pranuar vërejtje me shkrim për neglizhencën që ai ka bërë gjatë punës së tij.

Refik Beqiri e ka akuzuar sot Nagavcin se ka bërë presion ndaj drejtoreshave të çerdheve në Prishtinë, por ajo e ka mohuar ta ketë bërë një gjë të tillë.

“Nuk është e vërtet që kam bërë presion ndaj askujt, në rastet kur ne kemi shqyrtuar dhe ka pas parregullsi sigurisht se kemi japë vërejtje me shkrim dhe një gjë të tillë nuk e kemi kërkuar prej askujt, por unë si drejtoreshë kam nënshkruar në disa raste vërejtje me shkrim ndaj personave për mos kryerje të detyrave të caktuara dhe ky është obligim imi ligjor”, tha ajo.

Por ajo e ka pranuar se ndaj disa prej drejtoreshave të çerdheve kanë shqiptuar masën disiplinore vërejtje me shkrim dhe beson se këtë do ta kuptojnë si një proces të punës dhe do ta marrin si vërejtje serioze.