Nagavci: Mocioni u iniciua pasi Haradinaj shprehi pakënaqësi publike ndaj ‘Qeverisë Hoti’

Nënkryetarja e Vetëvendosjes dhe e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci ka thënë se Kosova sa ishte nën qeverisjes e Albin Kurtit ishte ndër vendet që më së miri në botë ka menaxhuar pandeminë.

Lajme

10/08/2020 23:48

“Sot Kosova është vendi që ka më së shumti të infektuar në botë në bazë të numrit të popullatës. Ia kemi kaluar edhe Italisë që të gjithë e dimë çfarë lajme vinin nga andej”.

Nagavci thotë se me Arben Vitinë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë qytetarët respektonin masat për mbrojtje nga Coronavirusi.

“Kemi pasur një ministër të shëndetësisë që ka qenë profesionistë dhe që ka gëzuar autoritet te qytetarët. Paraqitjet e përbashkëta të ministrit Vitia me kryeministrin Kurti kanë ofruar një lloj sigurie te qytetarët”, ka thënë Nagavci në RTV Dukagjini.

Nënkryetarja e Vetëvendosjes thotë se qeveria aktuale duke ndryshuar masat pa paralajmërime po shkakton habit e qytetarët.

Duke folur për mocionin e iniciuar nga Lëvizje Vetëvendosje, Nagavci thotë se nevojiten edhe nëntë nënshkrime për t’u formalizuar mocioni.

“PDK-ja po tregon se është një pseudo opozitë pasi që çdo opozitë synon rrëzimin e qeverisë. Ata ndryshe vepruan me mocionin e LDK-së edhe pse ishte kohë pandemie”.

Nagavci thotë se edhe nga subjektet e koalicionit qeveritarë kishte pakënaqësi ndaj qeverisë.

“Ne kemi parë edhe deklaratat publike të liderit të AAK-së zotit Haradinaj që u deklarua disa herë se ishte i pakënaqur me qeverinë e Avdullah Hotit dhe i kishte kryesisht vërejtjet e tij në raport me dialogun. Në këtë situatë ishte e natyrshme që edhe ne të kërkojmë veprime konkrete”, deklaroi ndër të tjera Nagavci.