Naftëtarët kërkojnë të mos ketë laramani të çmimeve

Me formimin e rregullatorit të çmimeve, naftëtarët pretendojnë se përveç përfitimit të çmimeve të njëjta në të gjitha pikat e karburantit, do të bënte që ato të ishin edhe më të ulëta. 

Lajme

23/12/2014 13:44

Rifiskalizimi duhet të bëhet dhe duhet të jetë prioritet i Shoqatës së Naftëtarëve. Por ai duhet të bëhet me çmime si në regjion. Ndërsa, rregullatori i çmimeve duhet të jetë prioritet për vitin që vjen. Kështu u tha në mbledhjen e Kuvendit të Shoqatës së naftëtarëve, ku u paraqiten dhe prioritete e kësaj shoqate për vitin 2015-të. 

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së naftëtarëve tha se prioritet për vitin 2015-të, mbetet formimi i rregullatorit të çmimeve, cilësia gjatë importit në kufi, largimi i trupave inspektues, kërkesa që rezervat shtetërore të ndahen në mënyrë të barabartë, si dhe zgjatja e licencave që ato të jenë dhjetë vite, e më pas të përhershme. Ndërsa pohoi se ata janë pro rifiskalizimit, por jo me çmime të larta. 

“Sa i përket fiskalizimit të pikave të karburanteve, ne në fillim, as tani, e asnjëherë nuk kemi qenë kundër. Por ne kemi kundërshtuar çmimet e larta dhe monopolet e krijuara. Rreth rifiskalizimit kemi arritur që tani t’i kemi në prag dy kompani rreth licencimit, ku janë në procedurë e sipër. Shpresojmë se me hyrjen e tyre në treg, çmimet do të jenë shumë më të lira”, tha ai. 

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu tha se duhet të punohet në promovimin e biznesit me derivate të naftës, në përmirësimin e ambientit biznesor dhe në ndryshimin e perceptimit sa i përket punës dhe kërkesave të këtyre kompanive. 

“Përkundër asaj që kontribuoni për fat të keq naftëtarët dhe ata që merren me derivate të naftës i përcjell një hije. Gjithmonë e kanë një trajtim, janë ata që gjithmonë e dëmtojnë ambientin. Janë ata që dëmtojnë buxhetin. Prandaj, në këtë drejtim duhet të punojmë bashkërisht në promovimin e vlerave të biznesit tuaj”, tha ai. 

E përfaqësues të kompanive të derivateve të naftës, kërkuan që prioritet t’i jepet rregullatorit të çmimeve. Ramadan Maloku nga kompania “Racional Commerce”, tha se duhet të aprovohet me urgjencë, rregullatori i çmimeve, i cili do ta rregullonte edhe cilësinë. 

“Sa i përket rregullatorit të çmimeve është një prioritet që duhet të aprovohet me urgjencë meqë efekti i aprovimit të këtij rregullatori do të kishte si qëllim rregullimin e çmimit në tërë territorin e Kosovës. Pastaj, kishte me e rregull dhe konkurrencën që në Kosovë ka laramani të çmimeve. P.sh një pompë i ka disa çmime, e njëjta firmë i ka disa çmime”.

“Efekti tjetër i rregullatorit të çmimeve kishte me ndikuar dhe në rritjen e mjeteve buxhetore që për ekonominë tonë kishte me pas efekt jashtëzakonisht të madh. Efekti tjetër i rregullatorit të çmimeve do ta rregullonte edhe cilësinë. Ai që do me pas shitje me të madhe, kishte me rregullu dhe cilësinë. Kjo është në interes të madh nëse arrihet që shumë shpejtë të aprovohet ky ligj. Mendoj se të gjithë janë me rregullu çmimin e njëjtë në tërë ekonominë, tregtinë me derivatet e naftës”, tha ai.