Naftëtarët ia parashtrojnë tetë kërkesa Qeverisë Kurti, nuk tërhiqen nga kërcënimi për mbylljen e pikave të derivateve

Shoqata e naftëtarëve nëpërmjet një komunikate iu janë drejtuar kabinetit qeveritar, duke kërkuar uljen e çmimit të akcizës në naftë, për të cilën po thonë se qeveria për një litër naftë mbledh 64 centë.

Lajme

09/06/2022 14:58

Naftëtarët e kanë vlerësuar propozim-vendimin e ri të Qeverisë për kufizim të marzhës të pa menduar mirë, duke thënë se një vendim i këtillë çon drejt falimentimit pompat e derivateve.

“Për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursa ndërkombëtare sot Qeveria e Kosovës nga çdo litër naftë dhe benzinë të shitur mbledh rreth 64 centë apo 12 centë më shumë se sa para krizës globale për litër. Qeveria nëse me të vërtetë është e interesuar të mbrojë konsumatorin, do të ishte e pritshme të reagonte njëlloj me qeveritë vendeve të rajonit dhe BE-së përmes uljes së akcizës dhe TVSH-së për produktet e naftës”, thuhet në komunikatë.

SHQNGL thotë se është për rregullimin e mirëfilltë të industrisë së naftës, por jo me vendime arbitrare.

“Qeveria mund të merr shembull vendet e rajonit dhe BE-së mbi rregullimin e çmimeve të naftës. Kërkesat tona janë që të vazhdohet me ekonominë e tregut të lirë njëjtë si në 22 vjetët paraprakë dhe në pajtim Kushtetutën. Nëse kërkesa nuk merret parasysh nga Qeveria, atëherë kërkesat tona janë që minimalisht marzha të përcaktohet duke u bazuar në çmimet aktuale, ku shitja me shumicë të jetë 3 për qind, dhe shitja me pakicë 12 për qind”, thuhet më tej në letër.

SHQNGL paralajmëron se nëse kërkesat e saj nuk merren parasysh, atëherë do të detyrohen të ndërmarrin masa tjera, si apelimi i vendimit të datës 1 mars 2022 për kompensim të humbjeve të shkaktuara nga ky vendim, apelimin e vendimit të ri, nëse ai merret duke mos përfillur kërkesat e shoqatës dhe mbylljen e pikave të derivateve në tërë territorin e Kosovës deri në reflektim të Qeverisë, me qëllim të shmangies së falimentimit të kompanive. /Lajmi.net/