Nafta në Jon, pas Greqisë tërhiqet Shqipëria, shtyn tenderin

Pas vendimit të shtetit grek, ministrja shqiptare e Energjetikës dhe Industrisë shtyn tenderin për kërkimet. Kjo ministri kishte vendosur 15 qershorin si afat të fundit për depozitimin e kërkesave për kërkimet në naftë.

Lajme

01/06/2015 23:08

Përplasjet mes dy shteteve për kërkimin e naftës nga pala greke kanë nisur prej më shumë se një viti. MPJ i ka paraqitur tri nota proteste Athinës. Shteti grek kishte përcaktuar kryerjen e tenderit për kërkime të naftës në zonën e Jonit I më 14 maj, por kompania norvegjeze u tërhoq.

Shqipëria shtyn tenderin për kërkimet në naftë në detin Jon. Lajmi për shtyrjen e tenderit ndërkombëtar për kërkime në naftë në zonën e cilësuar si Joni V është bërë i ditur nga ana e drejtorit të Agjencisë së Burimeve Natyrore, Dael Dervishi, duke e lidhur këtë me ofertat e shumta që kompanitë e huaja për të konkurruar, raporton agjencia NOA.

Afati i tenderit për paraqitjen e ofertave nga kompanitë për zhvilluar kërkime në naftë ishte 15 qershori.

Sipas drejtorit te Agjencisë se Burimeve Natyrore, Dael Dervishi, ka një fluks kërkesash nga kompani të huaja për të kryer kërkime, si në det, edhe në tokë. Nisur nga ky interesim, kreu i AKBN, thotë se afati i datës 15 qershor për të pritur oferta për tre nga blloqet e kërkimit, do të shtyhet.

Ndërsa një gjë e tillë është bërë me një urdhër të ministrit të Energjetikës, i nxjerrë me 15 maj, ku kërkon shtyrjen me 10 ditë të këtij afati.

“AKBN të publikojë, menjëherë, në faqen e saj të internetit hartën e blloqeve të lira të kërkimit në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe formularin e aplikimit. Pjesë e këtij publikimi duhet të jetë edhe vendosja e afatit të dorëzimit të aplikimit për blloqet Joni-5(në det), Rodoni (në det), Panaja dhe Blloku C, i cili duhet të jetë deri më datën 25.06.2015”, thuhet në urdhrin e Gjiknurit.

Katër ditë më parë, gazeta “Shqip” publikoi lajmin se shteti fqinj, Greqia, kishte anuluar procedurat për tenderin për kërkime në naftë në Zonat Ekskluzive Ekonomike duke përfshirë dhe pjesën e kontestuar të kufirit detar në Jon.

Ky vendim u mor pas tri notave të protestës që shteti shqiptar, nëpërmjet Ministrisë së Jashtme kishte paraqitur në adresë të Athinës Zyrtare duke kontestuar kërkimet për naftë, të cilat përfshinë ujërat territoriale ku ende nuk janë përcaktuar kufijtë mes dy shteteve. Pikërisht mungesa e një përgjigjeje nga pala greke ka bërë që kompania norvegjeze, PGS (Petrolium Geo-Service), të mos i nisë punimet kërkimore, por të tërhiqet përkohësisht nga i gjithë ky proces deri në zgjidhjen e ngërçit mes dy vendeve.

Vendimi duket se lidhet me njohjen e së drejtës ndërkombëtare, që detyron shtetet të ulen bashkë për të tenderuar kërkimet në det. Referuar konventës ndërkombëtare për zonat kufitare detare, shtetit grek nuk i mbetet asnjë rrugë tjetër veçse të ulet në tavolinë me Tiranën zyrtare për të nënshkruar një marrëveshje të re për tenderim të përbashkët.

Rreth dy vite më parë, shteti grek shpalli 20 blloqe kërkimore, disa dhe në zonat detare, si pjesë e Zonave Ekskluzive Ekonomike. Një nga këto zona është dhe pjesa e Jonit I, e cila prek dhe territorin shqiptar. Data 14 maj ishte afati i fundit i paraqitjes së ofertave në Ministrinë e Mjedisit dhe Energjisë së fqinjit jugor. Kjo përplasja shkaktoi një ftohje të marrëdhënieve mes dy shteteve. Nuk dihet nëse kjo shtyrje e tenderit të MIE-s lidhet me tërheqjen e Greqisë nga kryerja e prokurimit nga ana e saj.