Mustafës i është dhënë ultimatum deri të hënën për shkarkimin e Jabllanoviqit (foto-video)

(Plotësim)Ka përfunduar protesta me moton "Jabllanoviq jasht, Trepça është e jona. Ndërkohë Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje i ka dhënë ultimatum kryeministrit Isa Mustafa deri të hënën në orën 16 që ta shkarkojë ministrin Aleksandar Jabllanoviq. 

Lajme

24/01/2015 14:13

Në të kundërtën, Kurti dhe organizatorët e protestës, kanë thënë se do të organizojnë sërish protestë të martën në orën 12. 

————————-

Albin Kurti ka kërkuar dorëheqjen e Isa Mustafës nga posti i kryeministrit, nëse ai nuk e shkarkon ministrin Aleksandar Jabllanoviq.

Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nëse Isa Mustafa nuk e shkarkon Jabllanoviqin atëherë ai duhet të jep dorëheqje.

Kurti ka bërë të ditur se kjo protestë po shërben edhe për të mbrojtur Trepçën, duke thënë se ajo është e Kosovës dhe se nuk lejojnë që t’ia japin Serbisë.

“Do të jemi bashkë në këto protesta deri sa ta heqim Jabllanoviqin dhe ‘Jabllanoviqët’ tjerë nga Kosova, dhe derisa Trepça të bëhet e jona, të bëhet e Kosovës”, tha Kurti.

—————————————

Dhjetëra mijëra protestues janë mbledhur në sheshin Skënderbe, pranë qeverisë së Kosovës. Organizatorët të protestës nga shoqata “Thirrjet e Nënave” dhe Lëvizjes Vetëvendosje po u drejtohen të pranishmëve me fjalime. 

Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, tha se në kohën kur shumë familjarë ende nuk i dinë për fatin e të dashurve të tyre, ministri nga qeveria e Kosovës, i quan ata egërsira.

Ajo ka kërkuar edhe njëherë nga kryeministri Isa Mustafa, që urgjentisht ta shkarkojë ministrin Aleksandar Jabllanoviq. Kumnova ndërkohë i ka dhënë Mustafës ultimatum vetëm 48 orë për shkarkimin e ministrit të komunitetit serb

Ndërkohë protestuesit e mbledhur kanë vazhduar me brohoritjet duke kërkuar largimin e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës.

Shkarkimin e Jabllanoviqit e ka kërkuar edhe Driton Qaushi. Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk do të tolerojnë shkeljen e dinjitetit të tyre.

“Nuk do të tolerojmë shkeljen e dinjitetit tonë dhe ne nuk do të ndalemi. Kjo është koha e fundit që ju duhet ta shkarkoni ministrin Jabllanoviq”, ka thënë ai.

Ai tha se jehona e protestave të Gjakovës u përhap në gjithë Kosovën sepse qytetarët dolën në mbrojtje të vlerave të veta.

—————————————

Ka nisur marrshi i protestës me moton “Jabllanoviq jashtë-Trepça është e jona”, drejtë ndërtesës së Qeverisë. Marshit të protestuesve po i prinë përfaqësues të organizatës “Thirrjet e Nënave” dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë edhe organizatorë të kësaj proteste.

——————————————

Deri më tani, shihet një numër i madh i pjesëmarrësve në këtë protestë, ndërkohë, sipas organizatorëve, numri i tyre mund të arrijë në mbi 10 mijë qytetarë nga mbarë vendi.  

Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve që janë nisur nga qytete tjera të Kosovës, kanë mbetur të ngujuar në kolona të gjata në rrugët që lidhin qendrat tjera të vendit me Prishtinën.

 

——————————————

Qytetarë nga e mbarë Kosova, janë duke u tubuar pranë Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, për të marr pjesë në protestën gjithë popullore me moton, “Jabllanoviq jashtë – Trepça është e jona”.

Përveç në kompleksin universitar dhe pranë Bibliotekës, një numër i madh i qytetarëve shihet edhe në sheshet e kryeqytetit.

Në këtë protestë, e cila pritet të jetë ndër më të mëdhatë të organizuara pas luftës, po marrin pjesë edhe përfaqësues të partive opozitare, shoqatat e familjarëve të pagjetur, pjesëtarë të shoqërisë civile, veteranë të luftës si dhe minatorë të Trepçës.

Kjo protestë vjen pas një sërë tjerash të organizuara në qendra tjera të Kosovës. Qëllimi i saj është shkarkimi  ministrit Aleksandar Jabllanoviq, pas deklaratës fyese dhënë për familjarët e të pagjeturve dhe ndryshimit të ligjit për ndërmarrjet publike, me theks të veçantë të kombinatit Trepça.