Mustafa: Zoti e bekoftë shpirtin e Presidentit George H.W. Bush

Me rastin e vdekjes së ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H.W Bush, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka dërguar telegram ngushëllimi.

Lajme

01/12/2018 12:38

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut të popullit të Kosovës, Presidentit të SHBA-ve, George H.W. Bush. Ndarja nga jeta e George H.W. Bush është humbje e madhe për Kosovën.

Bush ishte një prej figurave më të njohura në arenën ndërkombëtare dhe politike i cili dha kontribut të madh që popujt e botës të jetojnë në paqe.

Bush ishte gjithashtu mik i madh i vendit dhe popullit tonë, mungesën e të cilit do ta ndiejmë shumë.

Bush do të përkujtohet gjithmonë nga Kosova dhe qytetarët e saj, veçanërisht për paralajmërimin e tij ndaj Serbisë në vitin 1992 se ‘në rast të konfliktit në Kosovë, të shkaktuar nga veprimet e Serbisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë e Serbi.’

Këtë dashuri ndaj Kosovës e trashëgoi edhe te Presidenti i 43-të i SHBA-ve George W. Bush, gjatë mandatit të së cilit edhe u shpall pavarësia e Kosovës.

Zoti e bekoftë shpirtin e Presidentit George H.W. Bush”, ka thënë kryetari Mustafa në telegramin e ngushëllimit. /Lajmi.net/