Mustafa: Zgjedhjet e djeshme e përmbytën mitin e referendumit të proklamuar nga Albini e Vjosa

Rezultatet e djeshme të zgjedhjeve lokale që u mbajtën në të gjithë territorin e Kosovës, nuk kanë përmbushur pritshmëritë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kishte parashikuar fitore në shumicën e komunave.

Lajme

18/10/2021 16:51

Për rezultatet e zgjedhjeve lokale ka folur edhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili në një prononcim për lajmi.net ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të djeshme tregon edhe pozitën reale të Vetëvendosjes së bashku me Listën Guxo.

“Rezultati i djeshëm i zgjedhjeve lokale, mendoj se tregon pozitën reale të VV-së bashkë me disa të mbetur të listës Guxo si pjesë e VV-së. Ky rezultat përmbyti keq dhe shpejt mitin e referendumit të proklamuar nga Albini dhe Vjosa të zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti. Kjo dëshmoi se ato zgjedhje më shumë ishin larje e trurit të votuesve, mashtrim i tyre dhe pasqyrë e një transi politik nga propaganda e fuqishme brenda dhe nga diaspora e më së paku votë e matur, e vlerësuar dhe e merituar”, ka thënë Mustafa.

Tutje, ai ka thënë se këtë fazë e kanë kaluar me sukses LDK, PDK dhe AAK, duke folur edhe për mundësitë për fitore të LDK-së në disa komuna.

“LDK-ja ka shanse reale ta fitojë Prishtinën dhe Podujevën si dhe komunat në të cilat ka qeverisur. Mund të fitojë edhe ndonjë komunë tjetër”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se PDK-ja ka shënuar rezultat mbreslënës në Mitrovicë, duke vlerësuar se kandidati i PDK-së në këtë komunë, Bedri Hamza do të jetë një zgjedhje fatlume për qytetarët atje.

Mustafa ka folur edhe për pozitën e AAK-së në zgjedhjet lokale, duke thënë se është treguar stabile dhe e qëndrueshme.

“Tani çdo gjë është në vullnetin e bashkëpunimit të liderëve politik për raundin e dytë dhe jo vetëm të tyre. Është edhe çështje e afërsisë politike, e pritjeve dhe interesave të atyre që dalin të votojnë në raundin e dytë”, ka thënë Mustafa.

Ish-kreu i LDK-së ka thënë se këto pritje duhet të balancohen me interest e bashkëpunimit ndërpartiak dhe të koalicioneve të ardhshme.

Në fund, Mustafa ka deklaruar se këto zgjedhje e kanë bindur fuqishëm se kësaj radhe qytetarët do të votojnë dhe do të zgjedhin racionalisht. /Lajmi.net/