Mustafa: Unë do të jem kryeparlamentar

Isa Mustafa thotë se marrëveshja në mes opozitës është arritur pasi që e kanë vërjetur se të bashkuar ata e kanë shumicën. Mustafa thotë se ai do të jetë kryeparlamentari i ardhshëm i Kosovës.

Lajme

10/06/2014 19:57

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa thotë se ai do të bëhet Kryeparlamentar, dhe thotë se ka hequr dorë nga posti i kryeministrit për shkak se ka parë që kjo është mënyra e realizimit të marrëveshjes në mes të partive opozitare.

“Kemi vërejtur të gjithë akterët e opozitës e opozita e ka shumicën e votave. Ne vërejtëm që kemi mundësi të ulemi dhe të merremi vesh. Në emër të realizimit të marrëveshjes kam hequr dorë nga pozita e kryeministrit, edhe vetë edhe atë që ta ketë LDK’ja. E kemi lënë që të jetë Haradinaj. Mendoj që është një marrëveshje e mirë dhe e shtendos situatën dhe e kthen vendin në nj rrugë krejt tjetër”.

“Ne do ta do ta marrim pozitën e Kryeparlamentarit. Unë do të kryesoj Kuvendin. Kur të përfundoj mandati i Presidentes, sipas Kushtetutës, ne e gëzojmë të drejtën ta kemi ehe atë pozitë- si LDK, dhe për këtë do të diskutohet. Por, tani është me rëndësi që të bëhet nj qeveri stabile që do të punonte në luftën kundër korrupsionit, integrimet evropiane dhe ri-mëkëmbjen e ekonomisë”, ka thënë Mustafa në një intervistë dhënë për Express.

I pyetur se në bazë të kësaj marrëveshje kujt do t’i takonte mandatimi i parë për të formuar Qeverinë, Mustafa thotë se atyre ju takon, por nëse kjo gjë nuk ndodhë, ai mendon se Presidentja do t’i mandatojë si të dytit dhe kështu do ta formojnë Qeverinë.

“Neve mendoj që na takon mandatimi i parë, pasi që do ta kemi një grup parlamentar. Së paku me AAK-në. Por, në qoftë se Presidentja prapë ia jep mandatin z. Thaçi që ta formoj Qeverinë neve na takon që ta marrim këtë mandat me rastin e dytë, sipas Kushtetutës, dhe ta themelojmë Qeverinë. Por, në qoftë se dëshirojnë ta politizojnë për arsye të ndryshme, ne nuk heqim dorë dhe mund të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, dhe në këtë rast ne do të shkojmë si koalicion i përbashkët- këto subjekte që e kemi nënshkruar këtë marrëveshje. Dhe fitorja është e sigurt. Kthim prapë nuk ka”, ka thënë Mustafa për Express.