Mustafa: U thash ambasadorëve se do të vazhdojmë dialogun

Lideri i LDK-së Isa Mustafa sot ka takuar tre ambasadorë të akredituar në Kosovë, atë amerikane, ambasadorin gjerman dhe atë greke. Ai ka thënë se i ka njoftuar ata për alternativën e re qeverisëse që janë duke e përgatitur me bllokun opozitar. 

Lajme

27/06/2014 19:58

Kryetari i partisë, e cila ka dalë e dyta në zgjedhjet e 8 qershorit, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, se sot ka takuar ambasadoren amerikane Tracey Ann Jacobson, ambasadorin gjerman Peter Blomeyer dhe atë të Greqisë, Constantia Athanassiadou. 

Mustafa ka thënë se u ka thënë atyre se, marrëveshja LDK-AAK-Nisma, nuk parasheh ndërprerjen e dialogut. 

“Sot isha në takim te ambasadorja e SHBA, Tracey Ann Jacobson, takova ambasadorin e Gjermanisë, dr. Peter Blomeyer, po ashtu takova edhe ambasadoren e Greqisë, Constantina Athanassiadou. I njoftova se po punojmë që të ofrojmë një alternativë të re qeverisëse, se qeveria e ardhshme, e cila buron nga marrëveshja LDK, AAK dhe Nisma do të ofroj zhvillim ekonomik, ulje të papunësisë, ndërtim të shtetit ligjor dhe luftë kundër korrupsionit”. 

“I sigurova se ne do ta kultivojmë partneritetin me SHBA dhe Bashkimin Evropian dhe se do të vazhdojmë me dialogun, i cili do të fokusohen në interes të vendit tonë, si formë e vetme e ndërtimit të marrëdhënieve me fqinjët, kurse zhvillimi i ekonomisë së tregut dhe sektorit privat do të jenë bazë e orientimit tonë zhvillimor”, ka shkruar Mustafa. (lajmi.net)