Mustafa tregon dallimin mes kontributit për Kosovën të Rugovës, Thaçit e Veselit

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një intervistë të cilën ia ka dhënë lajmi.net ka folur për kontributin e Ibrahim Rugovës, Hashim Thaçit e Kadri Veselit si dhe dallimin mes tyre.

Lajme

06/01/2021 23:12

Mustafa ka thënë se kontributi themelor i ish-presidentit Rugova  ka qenë themelimi i LDK-së në kohën kur në Kosovë ka nisur pluralizmi politik, pra sistemi shumëpartiak, shkruan lajmi.net.

Ai thotë se në atë kohë, Rugova ka pasur gjithnjë përkrahjen e SHBA-ve dhe BE-së.


“Kontributi themelor i presidentit Rugova është se ai ka themeluar LDK-në në kohën kur ka filluar pluralizmi këtu, kur ka filluar të instalohet sistemi shumëpartiak. Ka pas një guxim, vizion dhe bashkëpunim sepse nuk e ka bërë vetëm, e ka bërë gjithmonë në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në. Ka zhvilluar një sistem rezistence që ka qenë origjinal dhe s’ka qenë kopje e askujt. Kjo për shkak se ai ka ditur si ta krijojë besimin që të bëj një rezistencë aktive që në vitet e 90-të është zhvilluar duke pasur një besim të fuqishëm të qytetarëve në LDK-në dhe Ibrahim Rugovën”, ka thënë Mustafa.

Duke folur për Thaçin e Veselin, ai thotë se ata kanë meritat e luftës që s’mund t’ua mohojë askush.

Megjithatë, thotë se ka pasur tendenca të personalizimit dhe ndarjes së UÇK-së me figura të caktuara.

“Roli i Thaçit dhe Veselit ka qenë rol që ata e kanë realizuar në UÇK, e cila ushtri nuk është vetëm ushtri e Hashim Thaçit apo Kadri Veselit ose UÇK-së ashtu siç nganjëherë dëshirohet të bëhen përkufizime apo edhe të ndahet. Sepse në atë ushtri ka pasë veprimtarë, anëtarë, ka pasë simpatizantë të LDK-së që kanë qenë pjesë e asaj ushtrie. Një numër i madh i tyre kanë qenë pjesë e UÇK-së, janë vra apo janë plagosur gjatë luftës. Meritat e tyre janë merita të luftës që s’mund t’ua marrë askush”, thotë Mustafa.

Ai flet pak edhe për periudhën e pasluftës.

“Pas luftës meritat tona janë të përbashkëta sepse të gjithë kanë punuar edhe pse s’jemi pajtuar. Këto institucione s’janë ngritë vetëm nga LDK, PDK apo AAK më vonë, por janë institucione të përbashkëta”, thekson në fund Mustafa. /Lajmi.net/

YouTube player