Mustafa takoi Ambasadorin e Francës: Kufijtë e Kosovës, mbi të cilët është shpallur Pavarësia, janë të panegociueshëm

Sot, kryetari LDK-së Isa Mustafa priti në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert.

Lajme

27/05/2019 13:10

Kryetari Mustafa e njoftoi Ambasadorin Chabert për qëndrimin e LDK-së mbi temat kyçe dhe zhvillimet politike në Kosovë, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.

“Qëndrimi i LDK-së për dialogun me Serbinë është i qartë. Kufijtë e Republikës së Kosovës, mbi të cilët është shpallur Pavarësia më 17 shkurt 2008 dhe mbi të cilët mbi 100 shtete e kanë njohur shtetin e Kosovës, janë të panegociueshëm. LDK nuk do të bëhet pjesë e grupit negociator sepse negocimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është detyrë dhe obligim i Qeverisë së Kosovës. Dialogun duhet ta udhëheqë një qeveri me përkrahje të gjerë në Kuvend; prandaj LDK kërkon që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme që janë jetike dhe të pashmangshme”, tha Mustafa.

Ambasadori Chabert e falënderoi Mustafën për mikpritjen dhe vlerësoi rolin konstruktiv të LDK-së në proceset shtetformuese në Kosovë këto tri dekada.

Në fund, Ambasadori Chabert njoftoi Mustafën për një delegacion franko-gjerman që do të vizitojë Kosovën së shpejti për të diskutuar me akterët kryesorë politik para takimit të Parisit.

Mustafa shprehu kënaqësinë që LDK të pret në takim këtë delegacion.

Në takim ishin të pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm, Ismet Beqiri dhe zëdhënësi Besian Mustafa. /Lajmi.net/