Mustafa shpreson në liberalizim të vizave pas MSA-së (Video)

Kosova sot ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian, marrëveshje kjo e cila shënon marrëdhënien e parë kontraktuale të Kosovës me BE-së.

Lajme

27/10/2015 16:18

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas nënshkrimit kësaj marrëveshje, mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian me përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, tha se kjo është një ditë shumë e madhe për Kosovën, sepse Kosova po hyn në marrëdhënie kontraktuale me BE-në.

“Është një proces i forcimit të demokracisë, shtetit ligjor, integrimeve ekonomike, reformave që do t’i bëjmë dhe të rrugës drejt anëtarësimit tonë në BE. Ne do bëjmë çdo gjë që të arsyetojmë këtë hap shumë të rëndësishëm që po bëjmë bashkërisht. Do të jemi shumë të përgjegjshëm dhe do të jemi bashkë me qytetarët e Kosovës në këtë drejtim. Shpresojmë se hapi tjetër do të jetë liberalizimi i vizave”, tha kryeministri Mustafa, në konfenrcën për media pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Mustafa, shprehu përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës dhe të qytetarëve, si dhe falënderoi institucionet e BE-së për këtë hap shumë të rëndësishëm, si dhe institucionet e Kosovës për punën e tyre.

“Edhe deri më sot kemi jetuar me Evropën dhe në Evropë, por sot, në mënyrë kuptimplotë po e bëjmë dhe po fillojmë evropianizimin e Kosovës. Këtë do ta bëjmë me përkushtim të plotë të institucioneve të Kosovës dhe të qytetarëve”, theksoi kryeministri Isa Mustafa.

Kurse, zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, ka shprehur urimet më të mira për këtë hap të rëndësishëm për Kosovën.

“Vlerësoj se është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme, dita evropiane për shtetin e Kosovës, qytetarët e Kosovës, por edhe ditë e rëndësishme për rajonin dhe Bashkimin Evropian. Kosova ka perspektivë të sigurt evropiane dhe do të vazhdojmë së implementuari të gjitha angazhimet dhe kriteret e reformat demokratike që të kalojmë në fazën tjetër, atë të liberalizimit të vizave, në mënyrë që Kosova të zhvillohet, të respektoj të drejtat e njeriut, të respektoj në kuptimin afirmativ gjithë minoritarët dhe të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të saj”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, theksoi se ky është një moment tepër i rëndësishëm për Republikën e Kosovës.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë merituar këtë akt të sotëm formal të themelimit të marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Falënderojmë Bashkimin Evropian që e ka mbajtur zotimin e vet për të siguruar të ardhmen evropiane për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën. Benefitet e Kosovës dhe të qytetarëve të saj me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje janë të ndryshme, duke filluar nga aspekti politik, legal dhe ekonomik”, tha Çollaku.

YouTube player