Mustafa: Qeveria në largim po i mashtron qytetarët

Isa Mustafa premton mirëqenie për banorët e Anamoravës. Ai akuzoi partinë në pushtet se po premton vende pune dhe rritje pagash për t’i mashtruar votuesit. 

Lajme

30/05/2014 14:59

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa, ka akuzuar Qeverisjen në largim se po premton rritje pagash dhe punësim vetëm sa për t’i fituar votat.

Gjatë një tubimi në qytetin e Kamenicës, Mustafa tha se qytetarët nuk duhet të mashtrohen nga këto premtime, por se, sipas tij, për këtë arsye ata duhet që këtë qeverisje më 8 qershor ta dërgojnë në shtëpi.

Kreu i LDK-së, gjithashtu u premtoi qytetarëve të Kamenicës se në një qeverisje të tij, do të përkujdeset për të gjithë banorët që jetojnë në brezin kufitar me Serbinë.

“Pak ditë para fushatës po shpallin konkurse, edhe në polici po thonë se do t’i pranojnë 300 policë, po u premtojmë punëtorëve të KEK-ut rritje pagash edhe pse qeveria nuk ka lidhje me rritjen e pagave në KEK. Krejt këto ashtu sikurse edhe përdorimi i shërbyesve civilë, arsimtarëve dhe mjekëve për fushatë zgjedhore, janë përpjekje për blerje të votave”.

“Do të shtojmë sigurinë në Kamenicë, sepse kemi fshatra që kanë probleme me sigurinë në kufi. Askush nuk do të mund t’i trazojë banorët e fshatrave të brezit kufitar sepse është obligim i shtetit të kujdeset për sigurinë e qytetarëve”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka theksuar se në këtë pjesë të Kosovës nuk është investuar, pothuaj asgjë, nuk është përkrahur Anamorava.

“Këta meritojnë të shkojnë në opozitë dhe të përgjigjen për dëmet që kanë bërë. Duhet të vijnë ata që këtë vend e barazojnë me vendet tjera, me infrastrukturë rrugore dhe me stimulim të zhvillimit të bizneseve e të bujqësisë. Edhe pse e ka pasur edhe qeverisjen lokale, PDK nuk ka bërë asnjë punë në komunat e Anamoravës. Ne kemi punuar edhe pse nuk kemi pasur mbështetjen e qeverisë qendrore, e cila është drejtuar prej PDK-së”, ka thënë Mustafa.

Fondi për Punësim të cilin po e propagandon Partia Demokratike e Kosovës, sipas Mustafës, do të zhfrytëzohet vetëm nga kompanitë të afërta me pushtetin.

“Fondet e privatizimit i ka dërguar vet jashtë dhe tash po thotë se do t’i kthejë. Ata duan që ato t’i marrin dhe t’ua japin kompanive të veta. Vetëm 30 % e kompanive janë me afarizëm të mirë, sepse janë kompani të qeveritarëve dhe të njerëzve të afërt me ta”.