Mustafa premton zvogëlim të tatimit në qarkullim
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka premtuar se në qeverisje të partisë së tij, bizneset e vogla do të paguajnë përgjysmë më pak tatim në qarkullim.
Lajme
Mustafa, gjatë një vizite që iu bëri bizneseve të Prizrenit, prodhuesit të hidroizolimit “Izokos”, inovatores së barnave, Ajtene Sadiku-Krasniqi dhe një pemishte në fshatin Hatmaxhe, ka thënë se tatimi në qarkullim, nga 9 për qind sa është tani, do të zvogëlohet në 4,5 për qind.
“Do të aplikohet një sistem i thjeshtë tatimor, me procedura të thjeshta të deklarimit të tatimeve, nëpërmjet avancimit të sistemit elektronik të raportimit dhe kontrollit, si dhe duke siguruar trajtim të barabartë të tatimpaguesve dhe shpërndarje proporcionale të barrës tatimore”, ka thënë kreu i LDK-së.
Gjatë bashkëbisedimit me prodhues vendor, Mustafa ka thënë se LDK-ja promovon politikat fiskale në harmoni me kriteret të cilat derivojnë objektivat ekonomike, duke stimuluar investimet e reja, punësimin dhe tërheqjen e kapitalit të jashtëm.
“Tatimet e larta dekurajojnë investimet produktive dhe dëmtojnë punësimin. Tatimet duhet të jenë aq sa nevojitet për t’i mbuluar funksionet thelbësore të shtetit, duke i lënë qytetarët dhe bizneset të vendosin vetë për formën e investimit të të ardhurave të tyre”, ka thënë Mustafa.
Ai tha se Plani qeverisës i LDK-së në fushën e ekonomisë parasheh që të ulet pragu i regjistrimit të bizneseve në TVSH nga 50,000 euro në 30,000 euro. “Kjo do t’u mundësojë shumë bizneseve të operojnë më lehtë dhe të rriten. Kjo do të rriste bazën tatimore për rreth 1,500 biznese dhe do të krijonte të hyra shtesë në vlerë prej 3 milionë eurosh”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryeministër.
Për të forcuar sektorin privat dhe bizneset vendore Mustafa ka thënë se do të lirohet nga çfarëdo obligimi doganor importi i pajisjeve të teknologjisë informative. “Këto pajisje përdoren sidomos nga gjenerata e re në sektorin e shërbimeve. Kjo do ta mënjanonte ekonominë e zezë në këtë sektor, që vlerësohet të jetë rreth 20%. Heqja e ngarkesës doganore për këto pajisje do të siguronte rreth 30% rritje të këtij sektori”.
Ndërkohë, Drejtuesi i Këshillit të ekspertëve të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se qeveria e drejtuar nga Mustafa do ta trefishojë buxhetin në bujqësi dhe do të krijojë sisteme të ujitjes për të nxitur prodhimtarinë ekstenzive bujqësore.