Mustafa: Premtoj se nuk do të bëj koalicion me PDK-në

LDK ka nisur sot zyrtarisht fushatën parazgjedhore. Në tubimin e mbajtur në Prishtinë, kryetari Isa Mustafa, ka premtuar ndryshime. 

Lajme

28/05/2014 20:11

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka premtuar sot se nuk do të bëj në asnjë rast koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Mustafa në tubimin e parë në fushatën zyrtare parazgjedhore, tha se LDK që nga sot, do të nisë të shpalosë reformat që parasheh t’i ndërmarr në një qeverisje të tyre.

“Kjo ditë është e veçantë për ne, është dita prej të cilës po nisemi drejt shtrirjes së fitores së LDK-së, është një ditë në të cilën ne po fillojmë të prezantojmë reformat tona të mëdha për Kosovën, ofertën tonë të madhe për një Kosovë të zhvilluar, për një Kosovë demokratike dhe për një Kosovë të integruar në BE”.

“Motoja jonë ‘Vetëm ne mundemi’, është moto se vetëm ne do të realizojmë fitoren e demokracisë në Kosovë, vetëm ne do t’i ofrojmë këtij vendi një zhvillim të mirëfilltë, mirëqenie për qytetarët e saj, po të ofrojmë mundësi që bizneset të punojnë pa qenë asnjëherë të shtypura, sepse pa zhvillimin ekonomik nuk kemi zhvillim të shtetit dhe nuk kemi ardhmërinë tonë”.

“Ne premtojmë se do të sjellim drejtësi në këtë vend dhe se qeverisja e LDK-së do të jetë qeverisje që do të punojë për qytetarët. Ne kemi programin qeverisës i cili paraqet ofertën më të mirë për Kosovën”.

“Ne do të bëjmë ndryshimet sepse ndryshimet e shpëtojnë këtë vend. Në këtë vend shteti është i kapur nga krimi. Në këtë vend nuk funksionon ekonomia, në këtë vend kanë dështuar premtimet ekonomike”.

Ndërsa, tha se do të çlirojë vendin, që sipas tij, është kapur nga krimi.

“Ne kemi vetëm një zgjidhje, dhe mendoj se edhe qytetarët e Kosovës e kanë vetëm një zgjidhje, zgjidhja e tyre është a do ta japin votën për ata që e fundosën këtë vend për shtatë vite, apo do ta japin votën për ata që ofrojnë përralla qytetarëve, a do të ofrojnë vota për ata që negociojnë çdo ditë me krimin, apo do të japin vota për ata për LDK e cila është votë për qytetarin e Kosovës, është votë e shpëtimit të Kosovës, është votë e ngritjes së Kosovës, është votë e prosperitetit të Kosovës, është votë votë e ardhmërisë evropiane të Kosovës”.