Mustafa paralajmëron vendim të ri të LDK-së karshi rrethanave të krijuara

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, sikurse sot në mëngjes, sërish ka paralajmëruar për mundësinë e një vendimi të ri të organeve të partisë së tij, i bazuar në rrethanat e reja politike. Megjithatë ai ka vazhduar të mbrojë marrëveshjen me AAK-në, Nismën dhe VV-në, për të cilën thotë se është e rëndësishme të jetësohet. 

Lajme

31/10/2014 21:02

Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka paralajmëruar për nevojën e një bashkëpunimi të ri brenda Bllokut.

“Ne kemi bërë një marrëveshje të shëndoshë dhe të qëndrueshme politike, e cila është përkrahur nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, duke treguar respekt të plotë për partnerët tanë. Implementimi i marrëveshjeve nuk është çështje e individëve dhe dëshirave të tyre, por çështje e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit si dhe e vendimeve të organeve përgjegjëse, karshi rrethanave të krijuara”. 

Por ai ka vazhduar të insistojë te jetësimi i marrëveshjes me AAK-në, Nismën dhe VV-në.

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës është me rëndësi themelore jetësimi i marrëveshjes me AAK-në, Nismën dhe Vetëvendosjen, e cila siguron zhvillim ekonomik, shtet ligjor dhe luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kohezioni ynë por edhe diversiteti, është një argument i fuqishëm për një qeverisje të qëndrueshme dhe jokorruptive”.

Mustafa thotë se kryetari i Kuvendit i takon koalicionit paszgjedhor, por këtë po ja mohon Gjykata Kushtetuese. 

“Të gjithë atë që tjerrin mend sot e thonë se kanë thënë edhe përpara se këtij koalicioni nuk i takon kryetari i Kuvendit e kanë keq. Kushtetuta i jep të drejtë grupit më të madh parlamentar që ta propozoj kryetarin e Kuvendit. Rrjedhimisht koalicioni në krye me LDK-në është grupi më i madh parlamentar, kurse Gjykata Kushtetuese këtë të drejtë ia ka dhënë partisë e cila ka dalë e para në zgjedhjet nacionale”. (lajmi.net)