Mustafa nuk pret konfrontim me policinë por me politikanët e Serbisë

Nesër mbledhin këshilltarët e 3 komunave, Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për të themeluar asociacionin e komunave me shumicë shqiptare në Serbi.

Lajme

11/09/2015 13:33

Kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa duke folur për Radio Kosovën ka thënë se janë duke kërkuar të njëjtët që kanë bërë serbët e Kosovës.

“Me themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Republikën e Kosovës edhe shqiptarët në luginën e Preshevës kanë kërkuar parimin e zbatimit të reciprocitetit, po aq sa serbët në Republikën e Kosovës të fitojnë të drejtat e tyre, po në atë mas t’i fitojnë edhe shqiptarët në Luginë të Preshevës sepse zbatimi i standardeve të njëjta brenda një regjioni caktuar është rregull i pranueshëm dhe rregull shumë i logjikshëm”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se Zbatimi i standardeve të dyfishta pa dyshim që në këtë situatë do të sjell pakënaqësi dhe jo stabilitet në pjesët e këtij regjioni ku jetojnë shqiptarët.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës do ta mbështesin fuqishëm. Pa dyshim se këto janë deklarata dhe qëndrime zyrtare të Qeverive në Shqipëri dhe Kosovë. Në asnjë mënyrë ushtria serbe dhe xhandarmëria nuk ka vend për të reaguar këtu, këtu kanë të drejtë të reagojnë vetëm politika dhe presin që Beogradi zyrtar të vetëdijesohet përfundimisht për atë që i kërkon për serbët e Kosovës, t’iu ofrojë shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, ka thënë Mustafa.