Mustafa nuk do ultimatume për zgjedhje, lavdëron Haradinajn

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka akuzuar edhe njëherë dy partitë në kampin e opozitës, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Nisman për, siç thotë ai, mosgatishmërinë për të diskutuar për çështjen që ata i kanë ngritur.

Lajme

10/02/2016 18:52

Në një postim të tijin në Facebook, Mustafa ka thënë se ultimatumet e bëra nga opozita për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Mustafa ndërkohë, ka lavdëruar gatishmërinë e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, për të marr pjesë në dialogun e iniciuar nga presidentja Atifete Jahjaga.

Deklarata e plotë e Mustafës:

Dialogu, në fjalorin e shqipes së sotme shpjegohet si bashkëbisedim; rrahje e një çështjeje nga dy a më shumë veta duke biseduar drejtpërdrejt.

Shtrohet pyetja, pse duhet të ftohen qytetarët të protestojnë në Kryeqytetin tonë, pse duhet të hedhet gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës e sprej helmues nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit; pse duhet të digjen ndërtesat e Qeverisë e të hedhen shishe të ndezura me benzinë në policët e Kosovës, e mos të bashkëbisedohet për temat, të cilat shfrytëzohen si pretekst apo kauzë për këto veprime.

Në qoftë se, vërtet partitë opozitare e kanë sikletin te dy marrëveshjet, atëherë duhet të bashkëbisedojnë për to. Mungesa e vullnetit për të bashkëbiseduar nuk u jep të drejtë të ushtrojnë veprime të dhunshme.

Ishte një gjest i mirë i liderit të AAK-së, i cili iu përgjigj ftesës së Presidentes për të marrë pjesë në një tryezë të përbashkët, pozitë- opozitë. E vlerësoj këtë pjekuri politike për vendin, nga një luftëtar, pa marrë parasysh se çfarë kanë qenë qëndrimet e z. Haradinaj, çfarë ka prezantuar dhe çfarë nuk ka prezantuar. Fundja, ishte bashkëbisedim.

Si Kryeministër i vendit kam bërë ftesë serioze që të bashkëbisedojmë por, po ashtu, kam shprehur gatishmërinë që në këtë cilësi, por edhe në cilësinë e kryetarit të LDK-së të bisedojmë drejtpërdrejtë, para së gjithash në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Bashkëbisedimi është kulturë e jona familjare e shoqërore, sepse ashtu gjejmë zgjidhjet dhe i argumentojmë ato. Ultimatumet nuk janë zgjidhje demokratike. Ultimatume japin vetëm ata që përcaktohen për forcë e dhunë. Pasqyrat e pasojave nga sjelljet e tilla sot i shohim në kryelajmet botërore. Kosova ka nevojë për kryelajm, por ky kryelajm duhet të ishte sinergjia jonë për ta ndërtuar këtë vend. Jo, konflikti dhe përçarja! IM