Mustafa: Njohja e pavarësisë nga Serbia, realitet jo i largët

“Gur gur bëhet mur”, ka shkruar kryeministri Isa Mustafa, duke shpjeguar figurativisht përafrimin e Serbisë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Lajme

12/02/2015 18:46

Sipas Mustafës, edhe marrëveshja e fundit ishte një “gur” drejt këtij përafrimi.

Ai është shprehur i habitur me të pakënaqurit e marrëveshjes së fundit në Bruksel, duke thënë se nuk është i sigurt nëse këta nuk hanë letra.

“Njohja e pavarësisë së Kosovës edhe nga Serbia do të jetë realitet jo i largët. Se për këtë paska reaguar keq ministri serb i Drejtësisë, Selakoviq, nuk po brengosem, sepse gur gur bëhet mur. Disa gurë të rëndësishëm të njohjes i vëmë kësaj jave në Bruksel, ku mori edhe ai pjesë. Në drejtësi arritëm ti aplikojmë ligjet e Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit tonë.

Po habitem pak nga disa njerëz tanë se si nuk po u pëlqen kjo. Unë dyshoj që ata janë kundër sistemit unik të drejtësisë, por nuk jam i sigurt që ata nuk hanë letra, sepse vetë të menduarit se dikush duhet ti hajë ato, flet se ata edhe atë punë e kanë bërë, por nuk e kam ditur se njeriu bëhet shtatlartë duke ngrënë letra!? Ani, po të kishte hëngër edhe diçka tjetër, ku ta dimë se sa do të rritej”, shkroi Mustafa në profilin e tij në Facebook.