Mustafa niset drejt Brukselit për “Western Balkans’ 6”, pastaj takohet me Vuçiqin

Kryeministri Isa Mustafa, ka udhëtuar të hënën për Bruksel për të marrë pjesë në konferencën rajonale të radhës “Western Balkans’ 6”.

Lajme

20/04/2015 16:47

Në këtë takim do të diskutohet për rrjetin bazë të ndërlidhjes së autostradave dhe të linjave hekurudhore. Rrjeti bazë në rajon pritet të përfundojë deri në vitin 2030.

“Kosova po punon në përfundimin e pjesës së saj të rrjetit bazë, ku bëjnë pjesë Autostrada R7 e cila është afër përfundimit dhe R6 në të cilën ka filluar të punohet, si dhe linjës hekurudhore Hani i Elezit-Leshak e cila pritet të rehabilitohet”, thuhet në njoftimin për media të Kryeministrisë.

Tutje në komunikatë thuhet se Mustafa në vazhdimësi e ka potencuar se infrastruktura është parakusht për rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Ndërkaq, pas takimit të “Western Balkans’ 6”, Kryeministria njofton se përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, ka ftuar në takim kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministrin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.