Mustafa në Facebook, ia shpjegon Kushtetueses sistemin parlamentar

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka vlerësuar se përveç Partisë Demokratike të Kosovës dhe Gjykatës Kushtetuese, të tjerët në Kosovë e kanë të njohur sistemin parlamentar.

Lajme

12/09/2014 10:11

Përmes një statusi të postuar në profilin e tij në Facebook, Mustafa i është referuar njërit prej hartuesve të Kushtetutës së Kosovës, gjyqtarit amerikan, John Tunheim.

Mustafa, i cili me vendim të Gjykatës Kushtetuese u shkarkua nga posti i kryetarit të Kuvendit, për shkak të shkeljeve procedurale, Rregullores dhe Kushtetutës, ka shkruar se qeveria dhe organet e Kuvendit nuk mund të formohen pa e pasur shumicën parlamentare.

Lexojeni postimin e plotë që ka bërë lideri i LDK-së në Facebook.        

Gjyqtari amerikan, hartues i Kushtetutës së Kosovës, John Tunheim e shpjegoi qartë sistemin parlamentar. Ai theksoi se “Kosova është sistem parlamentar dhe kësisoj pa e pasur shumicën parlamentare s’mund ta formosh qeverinë”. Rrjedhimisht, pa e pasur shumicën parlamentare, mund ta propozosh edhe qeverinë edhe organet e Kuvendit, por vetëm shumica i zgjedh ato.

Kjo ka qenë e njohur për të gjithë ne, por mbetet tani të bëhet e njohur edhe për PDK-në dhe Gjykatën Kushtetuese, ose këto dy palë ta argumentojnë para opinionit sesi në një sistem parlamentar mund të zgjidhet Qeveria, Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit pa shumicë parlamentare. Nëse, së paku Gjykata Kushtetuese nuk e bën këtë, atëherë ajo përfundimisht e vërteton se nuk qëndron të jetë një institucion i pavarur, sipas Kushtetutës, por ka marrë anë politike në këtë proces jetik për Kosovën.