Mustafa në asnjë formë s’do të mbetet kryetar i Kuvendit

Analistët politik në vend vlerësojnë se Isa Mustafa, i zgjedhur kryetar i Kuvendit në seancën konstituive të 17 korrikut, në asnjë formë nuk ka shanse të ngelet në postin e pretenduar. 

Lajme

19/07/2014 20:49

Pas dërgimit të lëndës në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës, institucioni më i lartë juridik në vend më së shumti ka gjasa që ta qoj vendin në zgjedhje të reja, ose për ta evituar këtë, të kërkojë edhe një seancë konstituive të Kuvendit. 

Petrit Zogaj nga Lëvijza Fol”, thotë se zgjedhjet mund të evitohen vetëm nëse Gjykata Kushtetuese nuk e njeh Isa Mustafën si kryetar të ri të Kuvendit.

“Gjykata mund të shkoj në variantin që të shkohet në zgjedhje drejtëpërdrejtë, ose të shkohet me variantin që nuk e njeh votimin përmes të cilit Isa Mustafa u zgjodh kryetar, dhe rrjedhimisht mund të evitojmë zgjedhjet dhe të shkojmë me një seancë konstituive tjetër ku do të shkohej sërish me votimin për kryetar”, ka thënë Zogaj për KTV.

Nga ana tjetër analisti Shpend Kursani shprehet se rregullorja e Kuvendit nuk parasheh nominim të Kryetarit të Kuvendit për herë të dytë. 

“Rregullorja  e Kuvendin nuk e parasheh opsionin që pas dështimit për t’u zgjedhur i nominuari i parë për kryetar të Kuvendit, të votohet për të nominuarin e dytë. Por vetëm thotë se grupit më të madh parlamentar i takon e drejta të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Dhe nëse PDK-së i jepet kjo  e drejtë atëherë Kryetari i Kuvendit nuk do të zgjidhet pasi nuk i kanë votat, dhe atëherë kemi dy opsione. I pari që Kuvendi të funksionoj pa kryetar, pasi kjo është e mundshme, por që nuk është e mirë, dhe e dyta i mbetet Presidentes që ta qoj vendin në zgjedhje”, ka thënë Kursani.