Mustafa: Me VV-në do të merremi vesh edhe për Presidentin, rinumërimi do ta shtyjë ujdinë për koalicionin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka bërë të ditur se nuk do të ketë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për bashkëqeverisje, pa ndodh certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

Lajme

13/11/2019 14:38

Mustafa në një intervistë për EkonomiaOnline, ka folur për punën e grupeve punuese të dy partive për harmonizimin e programit qeverisësë.

Ai ka thënë se janë pajtuar në shumicën e temave, por që kanë mbetur edhe disa tema të hapura të cilat do të përmbyllën ndërmjet dy liderëve politikë.

Ndër to edhe ndarjet e ministrive dhe përgjegjësive të tjera.

“Kanë mbetur të hapura çështjet e dialogut që nuk janë diskutuar në këto nivele që duhet të diskutohen në nivel të liderëve politikë të LDK-së dhe VV-së. Ka mbetur çështja e marrëdhënieve me jashtë, që po ashtu korrespondon edhe me dialogun, por edhe me orientimet tona eurointegruese dhe euroatlantike. Ka mbetur çështja e ndarjes së përgjegjësive në qeverisjen e ardhshme, që nuk janë diskutuar në këto nivele por do t’i diskutojmë në nivelin më të lartë në mënyrë që qeveria të jetë e suksesshme. Unë tash po flas për një koalicion të mundshëm, nuk mund të flas për një koalicion të kryer, sepse ne jemi në fazën e dialogut dhe të bisedimeve, por për atë duhet të marrim vendim se a pajtohemi për të gjitha çështjet’, thotë ai.

I pari i LDK-së, ka thënë se po të shonin gjërat mirë, marrëveshja me VV-në do të ndodhte brenda javës, por vendimi i PZAP-së për të rinumëruar 1472 vendvotimeve do të ndikojë që kjo marrëveshje pa vullnetin e tyre të shtyhet për disa jave.

Mustafa shtoi se me Kurtin mund të takohet për kafe, por jo edhe për arritjen e marrëveshjes.

“Nuk do të ketë asgjë serioze pa certifikimin e rezultateve. Rezultatet nuk do të certifikohen për 15 ditë ose 20 ditë, sepse deri atëherë nuk e dimë përfundimisht sa deputetë do t’i ketë LDK-ja, sa do t’i ketë VV-ja dhe si do ta konstituojmë një marrëveshje të ardhshme të koalicionit. Ne mund të takohemi me pi kafe, por s’mund të takohemi të bëjmë marrëveshje, sepse gjërat nuk kanë përfunduar. Unë e shoh që është një presion nga publiku herë do të na fajëson neve herë VV-në, në të vërtetë nuk ka të drejtë askush të na fajësojë sepse ne po e bëjmë punën tonë sa i përket harmonizimeve të programit qeverisës, por marrëveshje nuk mundtë bëjmë pa certifikim të rezultateve”, ka thënë ai.

Por vendimi i PZAP-së për anulimin e votave të ardhura nga Serbia, e lë LDK-në pa 1 deputet, megjithatë Mustafa ka sqaruar se pse nuk janë ankuar kundër këtij vendimi.

“Deputeti jonë i 29 ka qenë  i lidhur me atë që Nisma mbeti jashtë parlamentit për arsye jo vetëm të Listës  Serbe dhe votave që erdhën nga Serbia por edhe të numërimit të votave me kusht dhe votave nga diaspora. Ne fillimisht kemi kërkuar që të bëhet rinumërimi i plotë menjëherë pasi që është evidentua se në atë dokumentin e evidentimit të rezultateve ka munguar një subjekt politik që ka marr pjesë në zgjedhje dhe ne thamë që të rinumërohen dhe të pastrohet çdo gjë dhe ne publikisht jemi shprehur kundër numërimit votave që kanë ardh nga Serbia dhe ne tash s’mund të dalim e ta kundërshtojmë një vendim të PZAP-it i cili është në harmoni me atë çka e kemi thënë ne pa marr parasysh nësë humbim apo e fitojmë një deputet ne i konsiderojmë meritore vendimet e PZAP-it dhe vendimet e Gjykatës Supreme dhe çdo vendim ne do ta mirëpresim dhe do ta respektojmë”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se pavarësisht se hyrja e Nismës i lë LDK-në e VV-në pa 4 deputetë, nuk do të rrezikojë formimin e qeverisë, raporton EO.

Ai nuk e përjashton mundësinë e bashkëqeverisjes me këtë parti, por shton se për këtë do të vendosë partia e parë.

“Nuk shoh ndonjë vështirësi, por duhet ta presim që të përfundoj procesi. Ajo duhet të jetë çështje e marrëveshjes me Vetëvendosjen përkatësisht e partisë së parë , në qoftë se Vetëvendosje do të vazhdon ta mbajë vendin e parë asaj do i bije të merr iniciativë lidhur me këto çështje dhe nuk na bien neve që të vejmë kushte , por unë konsideroj që nuk do të rrezikohet në asnjë rast koalicioni dhe formimi i qeverisë edhe në situatën kur Nisma hyn në Kuvend”, ka thënë Mustafa.

Mustafa: Presidenti i takon LDK-së, nëse do të jem unë, vendos partia

Mustafa ka treguar se ende nuk kanë diskutuar me VV-në për pozitën e Presidentin, por ka thënë thënë se kjo pozitë do të futet në marrëveshjen e koalicionit.

“Nuk kemi biseduar, por kjo çështje do të jetë e bisedave tona pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Tani qëndrimi jonë si LDK është që me Vetëvendosjen duhet të bisedojmë dhe t’i fusim marrëveshjet e koalicionit të gjitha pozitat për të cilat do të votohet në kuvendin e Kosovës edhe në qeverinë e Republikës së Kosovës të cilat ndodhin ose vinë gjatë 4 viteve të mandatit tonë të përbashkët qeverisë që është edhe pozita e presidentit të Republikës. Mund të jenë edhe pozita të tjera që lirohen ndërkohë gjatë asaj periudhe, por natyrisht se ne nuk do ta zgjedhim presidentin tash dhe as nuk do të merremi tani me zgjedhjen e presidentit por tani do të merremi vesh si partnerë të koalicionit që në momentin kur do të sfidohemi me zgjedhjen e presidentit të kemi një marrëveshje që bashkërisht t’i bëjmë votat dhe ta mundësojmë që ajo punë të kryhet në kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.

Por Mustafa beson se ky post duhet t’i takojë LDK-së, ndërsa nuk përjashton mundësinë që ai të jetë kandidat i mundshëm. Por për këtë ka thënë se vendos partia e tij.

“Kjo temë është bërë shumë e madhe. Ajo që unë jam shprehë në një televizion se do të ishte nderë për mua dhe për çdo njërin që ta ketë besimin e Presidentit të Republikës së Kosovës gjë që mendoj se është normale mirëpo nuk kam thënë fare që tani unë kam pretendime. Sepse për atë do të vendos partia ime në qoftë se ajo pozitë i takon LDK-së ose do të vendos Vetëvendosja në qoftë se ajo pozitë i takon VV-së. Mirëpo në një situatë normale Vetëvendosjes nuk mund t’i takojë dhe pozita e Kryeministrit edhe pozita Presidentit sepse është shumë. Prandaj në këtë aspekt unë këto çështje do t’i lë t’i diskutojmë më vonë. Por janë çështje të cilat shkojnë në pako sepse duhet një baraspeshë e këtyre pozita të ekzistojë sepse jemi shumë afër me VV-në si me vota ashtu edhe me deputet. Prandaj nuk ka këtu fitues absolut të këtyre zgjedhjeve por ka fitues relativ mbi bazën e një vendimi të gjykatës kushtetuese dhe ajo parti që del e para ka të drejtë ta gëzojë mandatin dhe ta propozojë Kryeparlamentarin dhe natyrisht që ne do ta respektojmë”, përfunduar Mustafa.