Mustafa mbron Vjosa Osmanin

Isa Mustafa ka komentuar ‘rënien’ e tij nga pozita e kryeparlamentarit. Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është as humbje e as fitore për palët. 

Lajme

22/08/2014 18:37

Ai i ka dalë në mbrojtje deputetes më aktive në kohët e fundit nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmanit, e cila e ka përfaqësuar bllokun paszgjedhor LDK-AAK-Nisma në mbledhjen e djeshme në Gjykatën Kushteteuse.

Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendimin se zgjedhja e Isa Mustafës si kryeparlamentar në mbledhjen e parë konstituive në Kuvendin e Kosovës të jetë jo ligjore. Ndërsa, pas këtij vendimi u fol edhe se Vjosa Osmani s’i ka bërë një përfaqësim të denjë bllokut, ngase edhe më herët ajo e kishte dështuar një ‘luftë’ kur ishte në anën e Fatmir Sejdiut.

Lexoni në shkrimin më poshtë se si shefi i saj, Isa Mustafa, e ka mbrojtur atë:

“Vjosa Osmani e bëri shkëlqyeshëm punën e saj.

Dje ishim dëshmitarë të një prezantimi brilant të zonjës Vjosa Osmani në seancën dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese. Ishin argumente shumë të qarta dhe të bazuara kushtetuese me dokumentim, që u prezantuan nga Vjosa.

Vjosa Osmani, edhe pse kishte lënë dy fëmijët në Australi, me përkushtimin më të madh punoi në përgatitjen e përgjigjes për këtë gjykatë, e cila përgjigje u përkrahë nga LDK, AAK, Nisma, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Unë shpreh mirënjohje për këtë punë të madhe dhe të përkushtuar. Vendimi është i Gjykatës Kushtetuese dhe jo i zonjës Osmani. Por vendimi ynë është që LDK, AAK dhe Nisma ta qojnë deri në fund projektin e përbashkët të tyre për ndryshime në qeverisjen e këtij vendi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të prezantuar në një komunikatë për media, nuk e shoh as si djegie e as si fitore të njërës apo tjetrës palë, por dua të theksoj se Kuvendi vendosë në mënyrë demokratike me votat e mbi gjysmës së deputetëve, prandaj do të fitojë ai që siguron këto vota edhe kësaj radhe”.