Mustafa: LDK do të përfshihej në bisedimet me Serbinë vetëm si udhëheqëse e Qeverisë

Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme të bëhet pjesë e një qeverie gjithëpërfshirëse, me kushtin që ta udhëheqë qeverinë dhe rrjedhimisht edhe dialogun sipas Kushtetutës.

Lajme

14/03/2019 23:21

Kështu ka deklaruar Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së.

Ai ka thënë në RTK 3 se marrëveshjet ndërkombëtare i negocion qeveria.

Sipas tij, nëse një parti refuzon të bëhet pjesë e kësaj qeverie, atëherë LDK-ja nuk do të pranonte të ndodhte kjo, sepse kjo do të kishte kuptim vetëm nëse të gjithë bëhen bashkë.

Ai ka qenë shumë kritik edhe për zhvillimet politike, duke thënë se kjo qeveri e ka sjellë Kosovën në pikën më të ulët në politikën ndërkombëtare.

Ai ka komentuar edhe raportin e DASH-it për korrupsionin. “Qeveria aktuale e ka sjellë vendin në nivel shumë të dobët edhe ne sundimin e ligjit dhe çështje të tjera”, është shprehur Mustafa.

Ai ka thënë se nuk parapëlqejnë rrëzimin e qeverisë me votat e Listës serbe, por nuk e ka përjashtuar këtë si mundësi. Sipas tij qeveria do të ishte mirë të ofronte dorëheqje pasi që nuk e ka shumicën e votave në Kuvend.