Mustafa: LAN nuk prishet edhe nëse shkohet në zgjedhje

Isa Mustafa thotë se blloku LDK-AAK-Nisma nuk do të shpërbëhet edhe nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. 

Lajme

06/09/2014 11:13

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk do të prishet koalicioni i ndërtuar me AAK-në e Ramush Haradinajt e Nismën e Fatmir Limajt, pavarësisht mundësisë për të shkuar në zgjedhje të reja nacionale.

Me këtë, Mustafa ka demantuar deklaratën e dhënë një ditë më herët, ku kishte thënë se, në rast të mos zgjedhjes së tij në pozitën e Kryeparlamentarit, blloku LAN do të shpërbëhej, pasi që, sipas tij, ky ishte një projekt i përbashkët, të cilit i dihej synimi.

Megjithëkëtë, Mustafa në postimin e bërë gjatë ditës së sotme në profilin e tij në Facebook, përsëri është marrë me Gjykatën Kushtetuese, duke i dhënë asaj epitetin e liderit suprem të Iranit.

Sipas tij, kjo Gjykatë mund ta zgjedhë vetë Kryeparlamentarin dhe ta shpall vetën organ suprem të Kosovës.

Lexojeni të plotë reagimin:

Koalicioni LDK, AAK dhe Nisma nuk prishet, por vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje. Dhe prapë do të fitojmë.

LDK, AAK dhe Nisma kanë përkrahjen e shumicës së deputetëve në Kuvendin e Kosovës. PDK me partitë e koalicionit nuk kanë dëshmuar se e kanë shumicën, dhe ajo do ta shfrytëzoj rastin edhe në Seancën e 12 Shtatorit të provojë ta dëshmojë këtë. Nëse dikush mendon se deputetët janë të detyruar të votojnë vetëm për kandidatin e PDK-së , atëherë në Kosovë ka mbaruar demokracia.

Por si po sillen gjërat nuk është e papritur që Gjykata Kushtetuese, ta merr rolin e ajatollahut, ta zgjedh Kryetarin e Kuvendit dhe ta shpallin veten organ suprem të Kosovës.