Mustafa: Kurti po vazhdon t’i mashtrojë “analfabetët e tij funksional”

Ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka folur për darkën e djeshme mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti si dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Lajme

05/05/2022 19:33

Në një deklaratë të dhënë për lajmi.net, Mustafa ka thënë se nuk do të bije në një nivel me Kurtin dhe aktivistët e tij të cilët sipas tij kanë bërë sjellje “rrugaqësh në të kaluarën” ndaj atyre që i shpallnin tradhtarë, shkruan lajmi.net.

Por, sipas Mustafës, Kurti e meriton epitetin e mashtruesit, pasi që sipas tij po i mashtron “analfabetët funksional” të cilët i ka shfrytëzuar për të ardhur në pushtet.

“Nuk mund të lëshohem në nivelin e Kurtit e as të bashkëpunëtorëve të tij. Kanë qenë sjellje rrugaqësh, të rrezikshme për vendin por edhe për jetën e atyre që i shpallnin tradhëtar. Me ato sulme, etiketime e parulla të rrezikshme erdhën në pushtet dhe ky vet u ul gju më gju me Vuçiqin. Nuk shoh asgjë të veçantë që është takuar me Vuçiqin sepse është punë që duhet ta bëjë kryeministri në dialog. Për këtë, unë nuk e quaj tradhtar. Mashtrues po, sepse i ka mashtruar analfabetët e vet funksional për të ardhur në pushtet dhe vazhdon t’i mashtrojë”, ka thënë Mustafa për lajmi.net.