Mustafa kërkon t’u jepet mundësia

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se bllokut LDK-AAK-Nisma, duhet t’i jepet mundësia që të dëshmojnë se i kanë numrat e deputetëve për të zgjedhur atë në pozitën e Kryetarit të Kuvendit.

Lajme

03/09/2014 17:29

Mustafa tha se LAN dëshiron që sa më shpejtë t’i formojnë institucionet e reja të dala nga zgjedhjet.

“Alternativa jonë në asnjë rast nuk është alternativë bllokuese, ajo është alternativë që hap shtigje dhe ajo që ne duhet të vërtetojmë dhe të konfirmojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është të konfirmohet se kush e ka shumicën e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Tha Mustafa

Pas takimit të mbajtur sot pasdite, liderët e LAN-it përsëritën qëndrimin e tyre për të mos shkuar në takim konsultativ me kryesuesen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovinin.

Pas këtij takimi, lideri i LDK-së, tha se takimi i vetëm me deputetët e PDK-së do të bëhet në seancën konstituive të Kuvendit.

Ai ka theksuar se do të presin vetëm këtë javë për thirrjen e seancës dhe se shtyrja e saj është e pakuptimtë.

Mustafa ka shtuar se nëse nuk thirret seanca gjatë kësaj jave, atëherë atë do ta bëjnë deputetët e Kuvendit.

Ndërsa Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se LAN është i gatshëm që, menjëherë pas krijimit të mundësisë, t’i formojnë institucionet e reja.

“Në momentin që i jepet mundësia koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe parterëve, në një afat shumë të shkurtër kohor i ndërtojmë institucionet. Pra, të zgjedhim kryetarin e formojmë qeverinë e vendit . Shpresojmë që të vij kjo ditë sa ma shpjet që mos të humbet më shumë kohë Kosovës”, tha Haradinaj.