Mustafa: Kam parë vullnet te Thaçi për ta luftuar korrupsionin

Kryeministri i sapo zgjedhur i Kosovës, Isa Mustafa i tha Zërit të Amerikës se qeveria e tij do të jetë e përkushtuar për zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit, por edhe për vazhdimin e bisedimeve me Beogradin, luftën kundër krimit e korrupsionit dhe çdo forme të ekstremizmit.

Lajme

09/12/2014 19:58

Mustafa tha se koalicioni me Partinë Demokratike ishte vendim i vështirë, por u bë i domosdoshëm për të çuar në vend vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Mendoj që do të funksionojë mirë. Mendoj që kemi krijuar raporte konstruktive dhe pozitive sa i përket synimeve tona themelore të qeverisjes së vendit. Kemi punuar mjaft gjatë në një program qeverisës, i cili përfshin fusha të rëndësishme për ne. Por, i cili ngërthen orientimet gati të njëjta të LDK-së dhe PDK-së, si në sferën e zhvillimit ekonomik, në sferën e forcimit të shtetit ligjor, në sferën e integrimeve evropiane, të partneritetit ndërkombëtar dhe po ashtu edhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është një sfidë shumë e rëndësishme për ne, por edhe të gjitha ekstremizmave të tjerë”.

Duke folur për kritikat e tij të ashpra në të kaluarën kundrejt SHIK-ut, Mustafa ka thënë se në qeverinë e tij por dhe në organet e tjera të Kosovës, me partnerin e tij të koalicionit, Hashim Thaçi, janë marrë vesh që të mos emërohet asnjë person që është i dënuar apo që ka aktakuzë.

Duke folur për emërimin e Kadri Veselit në krye të Kuvendit, Mustafa ka thënë se Kosova është demokraci parlamentare dhe kushdo që merr votat për deputet të Kosovës do respektohet.

“Po, ne jemi në një demokraci parlamentare, në të cilën ne nuk mund të zgjedhim se kush i merr votat për deputet të Kuvendit të Kosovës. Ne do ta respektojmë këtë. Ne kemi përcaktuar kriteret që asnjëri që është i dënuar, asnjëri që është me aktakuzë, nuk mund të marrë pozita, qoftë në qeverinë e Kosovës apo në pozita të tjera në organet e Republikës së Kosovës. Mirëpo, natyrisht ne nuk mund të paragjykojmë në pikëpamje të perceptimit të opinionit, sepse ka pasur perceptime në lidhje me SHIK-un, ka perceptime që janë të papranueshme për LDK-në. Por, ne me këto perceptime nuk mund të ndërtojmë institucionet e Kosovës, sepse kemi kushtëzime mjaft të mëdha, kemi një orientim të LDK-së që të mos mbetet në opozitë, por të merr përgjegjësi të qeverisë. Mendoj që është orientim i mirë, sepse ne nuk mund të shikojmë nga kodra se çfarë po ndodh në Kosovë e vetëm të bëjmë vërejtje, por duhet të bëhemi pjesë e zgjidhjes së problemeve të Kosovës, sepse gjeneratat po krijohen, po rriten. Ato kërkojnë zgjidhje dhe ne atë nuk mund të bëjmë vetëm nëse luajmë një rol pasiv, një rol vetëm të kritikave ndaj pozitës. Për këtë nuk dalim në zgjedhje”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri Mustafa ka thënë se qeveria e tij do ta luftojë korrupsionin. Ai ka thënë se ka parë vullnet të PDK-së por dhe të Hashim Thaçit që bashkë t’i qasen kësaj lufte.

“Nuk është luftë e lehtë Por, nëse nuk e bëjmë, atëherë është e pakuptimtë edhe pjesëmarrja jonë në këtë qeverisje. Ne duhet ta bëjmë këtë domosdoshmërisht. Unë e kam parë edhe vullnetin e PDK-së dhe të zotit Thaçi që ne bashkërisht t’i qasemi kësaj lufte. Është një proces që nuk është afatshkurtër. Është një proces afatgjatë, por që do t’i shërbejë shumë Kosovës, do t’i shërbejë po ashtu edhe inkuadrimit tonë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, qoftë BE apo të tjera ndërkombëtare, dhe përfitimet tona që do t’i kemi nga ato institucione, por edhe besimin që duhet ta krijojmë përmes një sjelljeje shtetërore, përmes zbatimit të rregullave, të ligjit, në mënyrë që të mos keqpërdoren edhe investimet që bëhen nga taksapaguesit e vendeve tjera por assesi të mos keqpërdoren edhe taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa në intervistën dhënë Zërit të Amerikës.