Mustafa i kënaqur me punën e policisë: Storie e suksesit për Kosovën

Sipas tij, policia ka rezultuar ta ketë besimin më të madh të qytetarëve në rajon, ku edhe ka arritur të jetë kryelajm i mediave botërore për shkak të parandalimit të sulmeve terroriste në ndeshjen Shqipëri-Izrael, transmeton lajmi.net.

Lajme

19/11/2016 19:00

Kryeministri Mustafa ka thënë se Kosova po avancon dhe se po punohet që edhe sektorët tjerë të arrijnë rezultate të njëjta me sektorin e sigurisë.

Shkrimi i plotë i kryeministrit Mustafa në Facebook:

“Të dashur qytetarë, Policia e Kosovës është një prej storieve të suksesshme të shtetit tonë.

Brenda një jave, Policia jonë rezultoi të ketë besimin më të madh të qytetarëve në tërë rajonin, sipas raportit të Transparency International, si dhe ishte kryelajm i medieve botërore për parandalimin e suksesshëm të sulmeve terroriste në kuadër të ndeshjes Shqipëri-Izrael.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me organet e inteligjencës kosovare, si dhe në bashkëpunim me vendet në rajon, shmangu një tragjedi e cila mund të kishte pasoja të mëdha në njerëz dhe në stabilitetin e sigurinë e rajonit.

Andaj, përkundër disa vështirësive me të cilat po ballafaqohemi, Kosova jonë e dashur po shënon rezultate evidente në fuqizimin e shtetit, institucioneve dhe subjektivitetit ndërkombëtar.

Kosova sot, po avancon në çdo raport kredibil ndërkombëtar i cili bazohet në parametra real, e jo në percepcione dhe propagandë të motivuar nga faktorë të ndryshëm.

Po punojmë fuqishëm që edhe sektorët tjerë të arrijnë rezultate të njejta me sektorin e sigurisë duke u bërë model në rajon. (Foto nga parakalimi për tetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës)”, shkruan ai. /Lajmi.net/