Mustafa flet për ‘Zajednicën’ e Thaçi për Presidentin

Kryeministri i vendit Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi, kritikuan sot veprimet e opozitës dhe dhunën që po e përdorin nëpër protesta këta të fundit, raporton lajmi.net.

Lajme

05/02/2016 12:37

Për kryeministrin Mustafa e Zv.Kryeministrin Thaçi, të cilët dolën sot në një konferencë për media opozita nuk mund ta marrë pushtetin me gjuajtjen me gurë dhe vrasjen e policëve.

Kryeministri Mustafa, foli edhe për Asociacionin me shumicë serbe dhe termit “Zajednicë” që përdoret nga opozita. Ky term sipas kryeministrit është në gjuhën serbe ndërsa vetë ai thotë se serbisht nuk flet as në takimet në Bruksel.

“Në këtë shtet nuk do të lejojmë grushtet, e as vrasje të policeve tanë. Ne këtë shtet do ta ndërtojmë me vota, e nëse dikush ka objektiva tjera ne nuk do të pajtohemi. Nuk mund të rrisim mirëqenien e qytetarëve dhe të ulërasim serbisht nëpër sheshet tona dhe të gjuajmë gurë. Asociacionit nuk duhet thënë Zajednicë për të ngjallë ndjenja nacionaliste. Unë në Bruksel flas vetë shqip dhe në asnjë rast nuk komunikoj serbisht në procesin e marrëveshjeve”, tha Mustafa.

Ndërs a, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, i cili nuk la pa përmend çështjen e zgjedhjes së presidentit, premtoi se zgjedhja do të bëhet sipas kushtetutës.

Por kushtetuese sipas Thaçit nuk janë reagimet e opozitës. Madje ato, i quajti antiligjore dhe anti transparente.

“Proceset nuk mund të ndalen nga reagimet mllefosëse pasi që metodat dhe kauzat e opozitës janë të gabuara. Me këtë mënyrë dhe dhunën e përdorur ata po e ndihmojnë PDK dhe LDK -në por po e dëmtojnë shtetin. Për dy ditë ne mund ti mbledhim 1 milion njerëz në sheshet e Kosovës dhe se nuk do të tërhiqemi para shantazheve të kujtdoqoftë”, tha Thaçi/lajmi.net