Mustafa e Veseli urojnë 7 Marsin

Me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kanë uruar të gjithë mësimdhënësit, duke çmuar larët rolin e mësimdhënësve kosovarë të dhënë ndër vite.

Lajme

07/03/2015 14:42

Kryeministri Mustafa në urimin e tij, shpreh dëshirën për përmirësimin e cilësisë së arsimit, në më mënyrë që, sipas tij, arsimi kosovarë të jetë konkurrentë me vendet tjera.

“Urimet tona janë që të kemi një shkollë të mirë, të kemi një mësim të mirë, të arrijmë suksese dhe të bëhemi konkurrentë me të tjerët. E dimë që është një flijim i të gjithë atyre që punojnë në procesin e arsimit, por është një flijim që arrihet me rezultate të mëdha dhe me kënaqësinë tonë që do të kemi gjenerata më të përgatitura dhe më të arsimuara”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Ndërkaq kryeparlamentari Kadri Veseli, në urimin e tij ka thënë se shkolla shqipe ka qenë paraprijëse e projekteve për liri dhe pavarësi.

“Sot është një ditë e shënuar në historinë tonë kombëtare- Dita e mësuesit. Me këtë rast, të gjithë arsimtarëve të Republikës së Kosovës ua uroj festën e tyre”.

“Të dashur arsimtare dhe arsimtarë të Kosovës, shkolla shqipe ka qenë gjithmonë paraprijëse e përpjekjeve tona historike për emancipim, liri dhe pavarësi”.

“Sot ajo duhet të na shërbejë si avangardë e zhvillimit dhe integrimit, prandaj investimi në sistemin arsimor është prioritet strategjik numër një për vendin tonë. Gëzuar!”, ka shkruar Veseli në Facebook.