Mustafa e quan mashtrim “studimin” për rrëzimin e Kurtit: Vetëvendosje rrezikoi miqësinë me SHBA-të

Një studim i publikuar sot i porositur nga Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, e i cili flet për rrëzimin e Albin Kurtit nga pushtetit, ka shkaktuar reagimin e kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

Lajme

05/12/2020 17:59

Me anë të një postimi në Facebook, Mustafa e ka quajtur mashtrim këtë studim që ai thotë se është bërë nga bashkëmendimtarët e Kurtit, shkruan lajmi.net.

“Disa bashkëmendimtarë të majtë evropianë të tashmë forcës kryesore politike të së majtës në Kosovë (Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit), në një “studim” që paskan bërë për efektin e lajmeve të rreme në politikëbërje, përfshirë edhe Kosovën, më paska “akuzuar” si prodhues të lajmeve të rreme me qëllim rrëzimin e qeverisë së koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka thënë se do t’i drejtohet Partive Popullore Evropiane, EPP për ta rrëzuar këtë studim tendencioz dhe të motivuar ideologjikisht.

“E vërteta e bashkëqeverisjes mes LDK-së dhe Vetëvendosjes është e qartë dhe e pastër.  LDK-ja i dha shans Vetëvendosjes për të punuar bashkërisht për të mirën e Kosovës”, ka shkruar tutje Mustafa.

Ai madje ia ka përmendur Kurtit edhe faktin dhe kohën kur shpërfillte telefonatat e ardhura nga SHBA-të, e që kishin të bënin me veprimet karshi vazhdimit të dialogut me Serbinë.

Postimi i plotë:

Të dashur miq,

“Studimi” i bashkëmendimtarëve të Albin Kurtit është manipulim !

Disa bashkëmendimtarë të majtë evropianë të tashmë forcës kryesore politike të së majtës në Kosovë (Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit), në një “studim” që paskan bërë për efektin e lajmeve të rreme në politikëbërje, përfshirë edhe Kosovën, më paska “akuzuar” si prodhues të lajmeve të rreme me qëllim rrëzimin e qeverisë së koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së !

Meqë ky “studim” qenka bërë për nevojat e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, si kryetar i LDK-së, do t’u drejtohem partive simotra të LDK-së në EPP (Partitë Popullore Evropiane) me sqarimet e nevojshme për ta hedhur poshtë këtë “studim” tendencioz dhe të motivuar ideologjikisht ndaj LDK-së.

E vërteta e bashkëqeverisjes mes LDK-së dhe Vetëvendosjes është e qartë dhe e pastër.

LDK-ja i dha shans Vetëvendosjes për të punuar bashkërisht për të mirën e Kosovës.

Vetëvendosje, përveç që tentoi ta keqpërdorte partneritetin dhe kontruktivitetin e LDK-së, duke u kthyer në shtratin e saj ideologjik dhe gjenezën izolacioniste, filloi ta rrezikonte partneritetin e Kosovës me aleatët e saj kryesorë, para se gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

LDK-ja nuk mund të duronte nëpërkëmbjen e saj nga një parti tjetër dhe taman puna të rrinte duke e soditur Vetëvendosjen teksa po shkarkonte ministra të LDK-së duke e shkelur marrëveshjen dhe po rrezikonte partneritetin e Kosovës me SHBA-të !

Prandaj, LDK-ja reagoi. Dhe do të reagoj ndaj kujtdo në Kosovë që e quan veten aq të rëndësishëm e të fortë sa të shpërfillë thirrjet telefonike nga Shtëpia e Bardhë e Departamenti Amerikan i Shtetit.

Që organizon fushata denigruese ndaj zyrtarëve amerikanë dhe Shtëpinë e Bardhë e portretizon si një vend ku copëtohet Kosova.

LDK-ja, si partia e parë politike në Kosovë dhe si trasuesja e orientimit pro-perëndimor të Kosovës, e ka obligim të kujdeset për të mos lejuar asnjëherë tendencat për shmangie nga ky orientim.

Sepse, partneriteti me SHBA-të dhe demokracinë perëndimore, është orientim natyror dhe sepse është rruga e vetme për Kosovën.

Autorët e “studimit”, shpresoj shumë se do të ballafaqohen me mbështetësit e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe “studimi” i tyre do të përfundoj si një përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e së vërtetë. /Lajmi.net/